Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtnant Rrahman Rama ka shoqëruar kryetarin e Kosovës z. Hashim Thaci, në vizitë zonave të goditura nga tërmeti i djeshëm në Durrës dhe Thumanë të Shqipërisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte që të njihen nga afër me punën dhe angazhimet e njësiteve të FSK-së si dhe për të inkurajuar ushtarët në misionin humanitar që po bëjnë në ndihmë të banorëve të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore. Kjo vizitë ka për qëllim edhe shprehjen e solidaritetit të madh dhe bashkëdhimbjen me qytetarët që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe të gjithë ata që kanë pësuar dëme nga ky tërmet.
Komandanti i FSK-së Gjenerallejtnant Rrahman Rama, pasi takoi ushtarët e FSK-së dhe u njoftua me angazhimin e tyre deklaroi: ’’ Ushtarët tanë janë duke u munduar të bëjnë më të mirën, atë që është e mundur dhe për këtë keni dëgjuar edhe vlerësimet e institucioneve vendore si dhe të qytetarëve që i kanë bërë për njësitë tona këtu.
Për profesionalizimin e treguar, përkushtimin, angazhimin dhe sakrificën që po bëjnë këto ditë në ndihmë vëllezërve tanë, unë i përgëzoj të gjithë ushtarët pjesë e këtij operacioni’’ ka shtuar Gjenerellejtnant Rama.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnat Rrahman Rama, gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e dërgimit të trupa shtesë në operacionet e kërkim-shpëtimit në rast nevoje.
Ushtarët e FSK-së për punën dhe angazhimin e tyre profesional i ka takuar dhe përgëzuar edhe Presidenti Thaci.
Njësi të specializuara të Gardës Kombëtarë të FSK-së, që nga paradita e djeshme ju kanë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë.