Në një atmosferë të mbushur me respekt dhe nderim, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit gjatë luftës dhe kryetari aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, organizoi një pritje solemne për të shënuar Ditën e Veteranit. Ky aktivitet shënoi një moment të veçantë për të përkujtuar sakrificat e jashtëzakonshme të atyre që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ceremonia u hap nga luftëtari i lirisë Gazmend Syla, i cili shpalli të hapur Ditën e Veteranit, duke vënë në pah rëndësinë historike të 30 dhjetorit, një datë që përkon me sulmin heroik të Prekazit më 30 dhjetor 1991. Kjo ditë shënon rezistencën e parë të armatosur kundër agresorit serb, një ngjarje që simbolizon guximin dhe vendosmërinë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
Gjeneral Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, përmendi me respekt dhe përulësi të gjithë dëshmorët e kombit kudo që janë. Ai theksoi se veteranët kanë të drejtë të festojnë këtë ditë me krenari, duke e cilësuar UÇK-në, si njësinë guerile më të suksesshme që arriti të sjellë Pavarësinë dhe të bëjë Kosovën pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Statusi i veteranëve do të rregullohet përfundimisht me ligj, duke u garantuar atyre vendin dhe respektin që meritojnë. Urojmë që gjithë çlirimtarët që ndodhen në Hagë të festojnë së bashku në vitin e ardhshëm.
Në këtë aktivitet, nga OVL e UÇK-së, Faton Klinaku, theksoi rëndësinë e kësaj dite si një kujtesë për sakrificat e popullit dhe rolin e Komandantit Legjendar Adem Jashari në ngritjen e rezistencës së armatosur. Klinaku tha: “Dita e Veteranit është dita e sakrificës. Në këtë ditë, nderojmë aktet heroike që kulmuan me lirinë tonë. Ky përkujtim duhet të jetë gjithmonë bashkë me institucionet shtetërore.” Dita e veteranit është e përcaktuar me ligj dhe për ta nderuar këtë ditë është të shënohej në mënyrë institucionale, edhe në kohën e kryeministrit Hashim Thaqi e Ramush Haradinaj, por vetëm në kohën e kryeministrit aktual asnjëherë nuk na ka ndihmuar të shënojmë së bashku këtë ditë.
Ndërkohë, Ali Ahmeti, komandanti Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe kryetar i BDI-së përkujtoi të rënët e luftërave shekullore të popullit shqiptar për identite dhe të drejta. Ai theksoi se misionet e lirisë ende vazhdojnë dhe se bashkimi i popullit shqiptar është frymëzim për të çuar përpara të gjitha idealet e tyre. Ali Ahmeti përmendi edhe programin e Qubrilloviqit i cili kërkonte shfarosjen e shqiptarëve. Andaj Ahmeti porosit veteranët, të angazhohen për të çuar përpara idealet e lirisë dhe pavarësisë. RKL