Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe komunave që angazhohen që ky ligj të gjejë zbatimin e nevojshëm dhe të garantojë të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë fëmijëve në Kosovë. Përmes një komunikate drejtuar mediave, KOMF ka thënë se ky logj shënon një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën drejt përmbushjes së zotimit për të mbështetur e garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.
