Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHTI në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit është duke bërë përgatitjet që viti i ri shkollor të fillojë me kohë e me prezencë fizike në mjediset shkollore.
KOMF bën thirrje për mobilizim, krijim të kushteve infrastrukturore në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, respektim të masave dhe vaksinim të të gjithë mësimdhënësve, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve në procesin mësimor.
Për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve, KOMF u bën thirrje:
Mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë shëndetit të fëmijëve;
DKA-ve, për krijim të kushteve infrastrukturore, dezinfektim të rregullt të shkollave dhe pajisje të shkollave me mjete dezinfektuese, si dhe monitorim të vazhdueshëm e rigoroz të zbatimit të masave për parandalimin e Covid-19;
Nxënësve dhe mësimdhënësve, për zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19 duke bartur maskat, respektuar distancën fizike dhe mirëmbajtur higjienën;
MASHTI-t për inspektim rigoroz të zbatimit të masave;
MASHTI-t, komunave dhe shkollave për vënien e fokusit te shëndeti mendor i fëmijëve, angazhimin e psikologëve qoftë edhe përkohësisht në shkolla, me qëllim të përmirësimit të shëndetit mendor të fëmijëve, por edhe të mësimdhënësve, të rënduar nga pandemia Covid-19. Të sigurohet që të paktën një psikolog të jetë në dispozicion për një shkollë.
MASHTI-t në bashkëpunim me DKA-të, të sigurojnë mbarëvajtjen e punës së mësimit plotësues/shtesë për të siguruar përmirësimin e gjendjes së fëmijëve në mësimnxënie, sidomos për fëmijët të cilët nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë.
MASHTI-t dhe MSH-së bashkë me komunat, të sigurojnë realizimin e vizitave të rregullta shëndetësore të fëmijëve në shkolla.
KOMF kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm, krijim të kushteve dhe respektim të masave nga nxënësit dhe mësimdhënësit, për të ruajtur shëndetin e fëmijëve si dhe për të mundësuar një vit shkollor efektiv.
Varësisht prej situatës epidemiologjike, MASHTI dhe komunat duhet të aplikojnë skenarët sipas rekomandimeve të IKSHPK.