KOMF

KOMF ofron rekomandimet për përmirësimin e skemës për shtesat për fëmijë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF mirëpret vendimin e Qeverisë për fillimin e zbatimit të masës për aplikimin e shtesave për fëmijë, e cila është dokumentuar në shumë vende të botës si instrumenti më efektiv në zbutjen e varfërisë dhe i cili zbatohet në pothuajse të gjitha vendet e Europës.

KOMF nga viti 2015 ka dërguar rekomandimin drejt Qeverive të Kosovës dhe drejt partive politike për planifikimin dhe realizimin e shtesave për fëmijë.

 

KOMF përmes një shkrese me rekomandime ka ofruar kontributin drejt Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për përmirësimin e skemës për shtesat për fëmijë duke paraqitur mangësitë aktuale si dhe propozimet për adresimin e tyre.

 

Rekomandimet kryesore:

  • Shtesat për fëmijë aktualisht po mundësohen përmes aplikimit në formë elektronike – ekosova. Në mungesë të informatave, shkathtësive apo edhe pajisjeve elektronike, shumë prindër mund të privohen nga kjo e drejtë për të aplikuar për shtesa për fëmijë. KOMF ka rekomanduar që krahas aplikimit në formë elektronike, të mundësohet aplikimi edhe në formë fizike nga prindërit/kujdestarët ligjor.
  • KOMF ka propozuar që skema për shtesat e fëmijëve të rishikohet duke përfshirë fëmijët deri në moshën 18 vjeçare. Legjislacioni në Kosovë por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18 vjeçare. Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare apo fuqizimin e të rinjve.
  • KOMF potencon që shuma aktuale e shtesave për fëmijë është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve. Megjithatë, KOMF vlerëson nismën e ndërmarrë për realizimin e shtesave për fëmijë, e cila do ti hap rrugë krijimit të një skeme të qëndrueshme në vitet në vijim. KOMF rekomandon që në kuadër të planifikimit buxhetor vitin e ardhshëm, shtesat për fëmijë të prioritizohen për të konsideruar rritjen e shumave mujore, për të mbështetur nevojat e fëmijëve.
  • Në kuadër të vendimit për caktimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e pjesshëm të masës 3.5, në paragrafin 4, përcaktohet që aplikimi për të përfituar nga shtesat e fëmijëve mund të bëhet nga nëna e fëmijës, ndërsa në mungesë të nënës mund të bëhet nga babai dhe kujdestari ligjor. Megjithatë për momentin, platforma online ekosova, lejon aplikimin për shtesa të fëmijëve vetëm nënën, përderisa nuk lejon aplikimin nga babai apo kujdestari ligjor. KOMF kërkon që platforma online të rishikohet për të mundësuar aplikimin edhe nga babai si dhe kujdestari ligjor. Mundësimi i aplikimit për shtesa të fëmijëve nga kujdestari ligjor është sidomos i domosdoshëm për fëmijët pa kujdes prindëror për të cilët në mungesë të prindërve, kujdestari ligjor ushtron të drejtat dhe përgjegjësitë e plota për fëmijën.
  • Skema për shtesa për fëmijët është mundësuar në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike. Për të siguruar qëndrueshmërinë e shtesave për fëmijë përtej kësaj pakoje, KOMF rekomandon që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të planifikojë hartimin e Ligjit për Shtesat për Fëmijë. Në këtë proces paraprakisht duhet të analizohet me kujdes dhe të vendoset modeli më i përshtatshëm i shtesave për fëmijë për kontekstin e Kosovës. Praktikat dhe modelet nga shtetet e e rajonit dhe Europës janë të ndryshme lidhur me shtesat për fëmijë. Dy modelet kryesore të shtesave për fëmijë janë si vijon: Shtesat universale për fëmijë, që nënkupton transfere të pakushtëzuara për të gjitha familjet me fëmijë pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të tyre, statusin ekonomik apo statusin e punësimit. Model tjetër i shtesave për fëmijë është përcaktimi apo përshkallëzimi i shumës së shtesave bazuar në të ardhurat vjetore të familjes, statusit ekonomik dhe statusit të punësimit, numrit të fëmijëve në familje, moshës dhe nevojave të fëmijëve.

KOMF bashkë me organizatat anëtare është i gatshëm për të kontribuar në këtë proces me qëllimin për të siguruar bashkërisht modelin më të mirë të shtesave për fëmijë për mbështetjen e fëmijëve dhe prindërve.

Sinqerisht,
Loreta Keqekolla

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë pas inaugurimit, pllakën e heroit të kombit, Ismet Krasniqi, e ka dëmtuar dora e zezë e kolaboracionistëve

Amir Krasniqi, djali i heroit ka shpërndarë disa fotografi të dëmtimit të pllakës, derisa e …