Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF reagon ndaj veprimit të menaxhmentit të shkollës fillore “Fehmi Agani” në Komunën e Gjakovës, për shfrytëzimin e fëmijëve për pritjen e kryetarit të Komunës së Gjakovës me datën 23 tetor 2018. Krahas shfrytëzimit të fëmijëve, është e papranueshme koha / procesi mësimor i humbur për përgatitje të fëmijëve si dhe presioni të cilit i nënshtrohen fëmijët për një ngjarje të tillë disa ditë me radhë. KOMF shpreh shqetësimin që mësimdhënësit në rastet e tilla shihen si përkrahës të individëve apo personave zyrtar dhe anashkalojnë rolin e tyre kyç të mësimdhënësit, në edukimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve i cili do të duhej të ishte primar ndaj çdo roli tjetër. Ligji për Arsimin Parauniversitar i Republikës së Kosovës ndalon në mënyrë të prerë aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë menjëherë masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi për sanksionimin e një veprimi të tillë i cili bie tërësisht ndesh me të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijës.