KOMUNIKATË PËR MEDIA
14 Qershor 2023, Prishtinë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësimin dhe brengën lidhur me abuzimet, sulmet dhe ngacmimet e vazhdueshme seksuale ndaj nxënësve në institucionet arsimore në Kosovë, mungesën e reagimit dhe indiferencën e gjithë sistemit ndaj kësaj dukurie konsistente e cila mbetet e pa trajtuar dhe pa parandaluar.
KOMF bën thirrje drejt shkollave dhe Drejtorive Komunale të Arsimit:
-
- Të punohet në parandalimin e rasteve të abuzimit dhe në rastet kur konstatohen të kenë ndodhur ato, të njëjtat të denoncohen menjëherë në organet përkatëse;
- Krijimi i ambientit miqësor dhe përkrahës brenda shkollës, në mënyrë që problemi i abuzimit të mos trajtohet vetëm me qasje reaktive, por të ketë koherencë të plotë në zhvillimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me parandalim, reagim dhe raportim;
- Nxitja e raportimit të rasteve të abuzimit brenda shkollave, për trajtimin e rasteve me kohë dhe parandalimin e përkeqësimin të situatave të abuzimit;
- Edukimi i fëmijëve për abuzimin seksual, rreziqet, pasojat, raportimin dhe institucionet e mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve;
- Prezantimi me zyrat përkatëse ku abuzimi mund të raportohet, dhënien e të gjitha kontakteve për të pasur qasje në këto sisteme të referimit dhe garantimi mbi ruajtjen e konfidencialitetit;
- Ngritja e shërbimeve profesionale në kuadër të shkollave (psikologë, pedagogë, punëtorë social), ku ndër të tjera do të kishin rol edhe në vetëdijesimin e fëmijëve për raportimin dhe kërkimin e ndihmës si dhe ofrimin e mbështetjes psiko-sociale për viktimat.
KOMF bën thirrje drejt Ministrisë së Arsimit:
- Të miratojë Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve në institucione arsimore;
- Të angazhojë inspektorët e arsimit në mënyrë që të jenë me aktiv në terren për identifikimin dhe parandalimin e fenomenit të ngacmimit, sulmit dhe abuzimeve seksuale.
KOMF bën thirrje drejt mediave:
- Të raportojnë në mënyrë profesionale mbi rastet a abuzimeve duke patur konsideratë primare mbrojtjen e viktimës, mos stigmatizimin; të mos dëmtojnë dhe mos cenojnë edhe më shumë viktimën, duke shmangur çdo ri viktimizim të mundshëm gjatë raportimit;
- Të mbrojnë të dhënat dhe të ruajnë konfidencialitetin e viktimës gjatë raportimit në media (emri i komunës, fshatit, lagjes, shkollës, familjarëve, inicialet apo çfarëdo të dhëne tjetër që çon në zbulim të identitetit).
KOMF bën thirrje drejt organeve të rendit dhe drejtësisë:
- Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;
- Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Europiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
- Përgjegjësi penale nga profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve.
KOMF rithekson se ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj nxënësve / fëmijëve, janë të papranueshme dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, si vijon:
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në dispozitat për të drejtat e fëmijëve, shprehimisht parasheh që secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe shfrytëzimi;
- Kodi Penal të Republikës së Kosovës, Kapitulli i Veprave Penale kundër Integritetit Seksual;
- Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh mbrojtjen e fëmijës nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës).