Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur konferencën për publikimin e Raportit të Monitorimit “Shërbimet Sociale në Kohë Pandemie”. KOMF gjatë vitit 2020 ka monitoruar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në shtatë komuna të Kosovës dhe ka hartuar Raportin e Monitorimit, i cili ka si qëllim kryesor pasqyrimin e gjendjes aktuale mbi shërbimet sociale. Bazuar në të gjeturat e monitorimit, 2020 konsiderohet si viti më i rëndë për ofruesit e shërbimeve sociale, në 20 vitet e fundit. Kjo për shkak të dëmeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe situata politike në vend. Përgjatë këtij viti, fokusi i të dy qeverive, qendrore dhe komunale, ishte parandalimi dhe menaxhimi i pandemisë, duke lënë mënjanë shërbimet sociale. Pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve në nevojë për shërbime sociale, përderisa pjesa dërrmuese e shërbimeve të ofruara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe organizatat jo qeveritare për grupet e cenueshme ishin të mbyllura apo tejet të kufizuara gjatë vitit 2020, për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Ndërkohë, as dy projektligjet kryesore që pritet të ndikojnë në decentralizimin dhe avancimin e shërbimeve sociale, që janë Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, nuk arritën të miratohen gjatë vitit 2020.
