Kompromisi politik për Ballkanin Perëndimor duhet të shpërblehet, ka porositur para mbledhjes së nesërme të Këshillit të Bashkimit Evropian, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Në rrethanat në të cilat Këshilli i BE-së nesër mund të shtyjë vendimin për bisedimet me Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë, Hahn u ka bërë thirrje ministrave të BE-së që sa më shpejtë që është e mundur të përshpejtojnë bisedimet me Maqedoninë veriore sepse e sheh si sinjal të rëndësishëm për gjithë rajonin, transmeton lajmi.net. Ai ka insistuar se Maqedonia e veriut ka bërë gjithçka që kërkohej prej saj andaj pezullimin e një vendimi nga BE-ja e sheh si veprim të rrezikshëm, transmeton lajmi.net. Ministrat e punëve të jashtme të BE-së në takimin e nesërm të Këshillit në Luksemburg pritet të marrin vendime dhe të bëjnë propozime në lidhje me hapat e mëtutjeshëm të shteteve që gjenden në procesin e anëtarësimit në BE. Po ashtu, pritet të definohet një përgjigje e Këshillit ndaj propozimeve të Komisionit evropian në lidhje me bisedimet me Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë. Sipas informacioneve të fundit, ky vendim mund të shtyhet sërish.