Komisionet parlamentare për Siguri dhe për Buxhet e Transfere vizituan Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së

Komisionet parlamentare për Siguri dhe për Buxhet e Transfere vizituan Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama me stafin e tij, pritën sot në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, respektivisht anëtarët e komisioneve parlamentare, atij për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe të komisionit për Buxhet e Transfere.

Në fillim, gjeneral Rama, shprehu falënderimin për vizitën si dhe njoftoi deputetët lidhur me zhvillimet e përgjithshme aktuale të FSK-së, sfidat aktuale si dhe objektivat zhvillimor për të ardhmen. Në vazhdim, përmes prezantimeve, oficerët e SHP të FSK-së njoftuan të pranishmit me aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, procesin planifikues të vitit pasues, afatmesëm dhe atij afatgjatë të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së si dhe kuadrit buxhetor të nevojshëm për realizimin e planeve përkatëse. Ndër të tjera, gjeneral Rama theksoi se përkundër krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe fokusit për luftimin e saj, FSK ka arritur me sukses të realizoj pjesën më të madhe të aktiviteteve të planifikuara, në funksion të përmbushjes së objektivave të ministrit të mbrojtjes.

“Meqë jemi në vitin e dytë të procesit të tranzicionit të FSK-së në misionin e forcës ushtarake, edhe objektivat tanë janë me fokus në përmbushjen e aktiviteteve në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, respektivisht në drejtim të arritjes së aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale deri në vitin 2028, kapacitete këto të nevojshme për përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor” tha ai. Në fund, gjeneral Rama kërkoi nga anëtarët e dy komisioneve, mbështetjen nga ana e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, konkretisht në miratimin e kërkesave buxhetore të FSK-së të planifikuara për vitin 2021. 

Pas ekspozesë së gjeneral Ramës, anëtarët e komisioneve përkatëse të kryesuara nga Fatmire Kollçaku–Mulhaxha dhe Hekuran Murati, duke vlerësuar lart të arriturat e deritashme të FSK-së me diskutimet dhe pyetjet e tyre shprehën interesimin lidhur me statusin e projekteve kapitale të blerjes dhe atyre infrastrukturore të FSK-së,  gjendjen e pjesëtarëve në rrethanat e pandemisë COVID-19, procesin e integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë dhe sfidat në këtë proces. Ata u zotuan se, përkundër vështirësive buxhetore që ka shkaktuar dhe pritet të shkaktoj kriza e pandemisë, nga autoriteti i tyre do të mbështesin kërkesat buxhetore të FSK-së për realizimin e projekteve të planifikuara.

Për organizimin si dhe të gjitha pyetjet dhe çështjet e ngritura nga anëtarët e komisioneve përkatëse, me përgjigjet dhe angazhimin profesional kontribuan edhe stafi shoqërues i gjeneral Ramës në përbërje prej gjeneralmajor Enver Cikaqit, gjeneral brigade Jeton Dreshajt, kolonel Agron Bajramit, kolonel Ejup Maqedoncit, nënkolonel Berat Shalës, major Korab Dautit, kapitene Manushaqe Nurës dhe këshilltares ligjore nga SHBA, Katherine Barton. FSK përmes takimeve të ngjashme, por edhe takimeve raportuese vazhdon të përmbushë në mënyrë të plotë obligimin ligjor në funksion të transparencës dhe llogaridhënies së plotë para përfaqësueseve të Kuvendit të Republikës së Kosovës si organi kushtetues i ushtrimit të kontrollit demokratik parlamentar. 

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …