Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të lartë Artan Broci. Në seancën dëgjimore të datës 27 korrik, Komisioni vuri në dukje se gjyqtari i lartë ka probleme me pasuritë për mënyrën si është investuar për ndërtimin e një shtese të apartamentit në Tiranë. Por, sipas Brocit, shtesa është kryer në të gjithë objektin nga të gjithë banorët. Më tej, Komisioni hodhi dyshime për mënyrën si është blerë e shitur një apartament në Rrashbull, të cilin Artan Broci insiston se e ka shitur prej shumë kohësh dhe më pas shumën e ka investuar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi si gjetje edhe dhënien me qira të një ambienti pranë Shallvareve, të ardhura këto të padeklaruara. Pas shkarkimit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci, KPK-ja ka vendosur mesditën e së martës edhe shkarkimin e Prokurorit të Tiranës, Dritan Rreshka. Gjatë seancës dëgjimore u hodhën pikëpyetje njëanshmëritë mbi një raport për pasurinë e prokurorit Rreshka. Këto dyshime lidhen me faktin se vite më parë prokurori Rreshka ka hetuar te Krimet e Rënda një çështje për dyshimet e korrupsionit. Raporti ka dalë në përfundim se Rreshka ka kryer deklarim të rremë.