Komisioni për emërtimin e rrugëve në Lypjan injoron kreun e luftës së NDSH-së

Publikimi i një lajmi lidhur me punën dhe aktivitetin e një komisioni për emërtimin e rrugëve në qytetin e Lypjanit dhe në disa fshatra të kësaj komune, ka nxitur  me të drejtë shqetësimin e disa familjeve të luftëtarëve dhe martirëve të Lëvizjes Nacional-demokratike Shqiptare, nëpër fshatrat e kësaj komune, meqë disa nga personalitet e njohura të kësaj Lëvizjeje në nivel kombëtar, janë përjashtuar nga mundësia që emrat e tyre të përjetësohen edhe  në rrugët dhe sheshet e Lypjanit.


 


Ky lëshim, apo kjo papërgjegjësi e disa zyrtarëve të komunës është bërë edhe më skandaloze kur në radhët e këtij komisioni janë zgjedhur zyrtarë me të kaluar denoncuese, titiste rankoviqiste, kuadro të shkollës titiste të Kumrovcit dhe zyrtarë, të cilët nuk e njohin as u intereson historia kombëtare.


Në një informatë për Radion-Kosova e Lirë, një zyrtar i komunës ka bërë të ditur se kryetar i komisionit është Bajram Sinani, me profesion arkitekt, ndërsa anëtarë janë ish-komisari komunist, Muhamet Shabani, nga Lidhja Demokratik e Kosovës, Mevlyde Shamolli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, Idriz Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, Jalldyze Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Blerim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re.


Disa prej anëtarëve të këtij komisioni i njoh mirë, ua njoh edhe të kaluarën, lidhjet me ish-pushtetin komunist dhe prejardhjen e tyre. Përzgjedhja e komisionit mbi baza partiake e jo mbi kritere shkencore, për t’u  bazuar në historinë e së kaluarës së kësaj treve, tregon në radhë të parë papërgjegjësinë e kreut të komunës dhe neglizhencën e pafalshme në këtë drejtim.


 


Nuk mund të vendosin për emërtimin e rrugëve dhe shesheve me emrat e dëshmorëve e martirëve  përfaqësuesit e partive politike, sepse dëshmorët, as në të kaluarën as tani nuk u përkasin partive politike, por mbarë kombit. Është krejtësisht e palogjikshme që emërtimet e rrugëve, shesheve, fshatrave, qyteteve e vendbanimeve të bëhet nga zyrtarët e partive politike. Pikërisht për këtë ky komision “as mish as peshk” nuk ka treguar se ka njohuri, madje as për elementet apo  kriteret bazë, mbi të cilat bazohet përcaktimi i një personaliteti,  për të shënuar një shesh, një rrugë qyteti apo fshati. Në mungesë të dijes dhe përvojës, në mungesë të njohjes së historisë dhe së kaluarës së lavdishme të personaliteteve të kësaj treve, anëtarët e këtij komisioni kanë rënë pre e shtyrjes me bërryla të disa mujsharëve të politikës aktuale, të cilët, emërtimin e rrugëve dhe të shesheve i bëjnë për qëllime e përfitime elektorale dhe jo për hir të gjakut të derdhur rrëke për liri, jo për hir të së drejtës dhe të së vërtetës historike.


Të anashkalohen në emërtimin e shesheve e rrugëve personalitetet e NDSH-së si Kadri Beba, Salih Rexha, Nezir Buja, Rexhep Salih Rexha, Idriz Mahmeti, Hazir Abdullah Selimi, Habib Emini, Ismajl Dragusha, Zekë Luma, Fetije Dragusha, Islam Donameku, Idriz Hyseni, Tafil Sejdiu, Ibrahim Hoxha, Shefqet Bylykbashi, Rrahim Rexha, Veli Gashi,   e qindra të tjerë, nuk është vetëm një lëshim antikombëtar, por thjesht është edhe  një papërgjegjësi politike, meqë injorimi i këtyre personaliteteve po bëhet për hir të kthimit të kriminelëve serbë në Kosovë, pasi që tashmë është aprovuar edhe ligji për faljen e krimeve të tyre. Këto veprime të liga antikombëtare po i bëjnë disa nga drejtuesit e sektorëve të ndryshëm të komunës  së Lypjanit, një qendër e njohur e politikave antishqiptare të kohës së Titos- Rankoviqit e Milosheviqit.


 


Liridashët e kësaj treve e dinë mirëfilli dhe nuk e harrojnë kurrë se si ka vuajtur popullata shumicë shqiptare qysh prej janarit të vitit 1945, kur forcat çetnike-komuniste e morën pushtetin në Kosovë dhe likuiduan qindra atdhetarë e mijëra të tjerë i syrgjynosën nëpër burgjet e Serbisë e të Goli Otokut, shumë nga të cilët nuk u kthyen më kurrë.


 


Liridashësit e kësaj treve të Kosovës kurrë nuk do t’i harrojnë krimet që kanë kryer: Sava Shurbatoviqi,  Cveta Qanoviqi, Stanoje Aksiqi, Zhivko Mitroviqi, Cedo Topalloviqi, Shaban Kajtazi, Nikolla Pantiqi, Spasoje Jokanoviqi, Bozha Iliqi, Cvetko Stanojeviqi e dhjetëra kriminelë të tjerë serbë. Stanoje Aksiqi, kuadër i lartë politik i KSAKM-së për vëllanë e tij të vrarë nga karabinierët italianë në vitin 1943, pas luftës  ka pushkatuar pa gjyq: Hazir Selimin dhe  Idriz Mehmetin nga Banulla, Selman Bujën nga Bujani e të tjerë ndërsa ka dënuar me pushkatim Kadri Bebën nga Ribari Madh,  ka dënuar deri në 20 vjet: Qerim Selimin nga Banulla, Rrahman Jetullahun dhe Osman Jetullahun nga Krojmiri, Tafil Sejdiun nga Shala, Jahir Sejdiun nga Shala, e shumë të tjerë. Miqtë e kumbarët e Stanoje Aksiqit i gjen të postuar kudo në institucionet e komunës së Lypjanit.


 


Edhe bijtë dhe bijat e bashkëpunëtorëve të  OZN-së e të UDB-së, shqipfolës e trutharë, po kuptohet se  nuk duan ta harrojnë të kaluarën e tyre kolaboracioniste, duke propaganduar se shqiptarët, sipas tyre, më së miri kanë jetuar në kohën e Titos, ashtu sikur po thotë Fatos Luba dhe tërë soji i atdhe e komb-mohuesve.


 


Kthimi në disa vende me përgjegjësi në komunën e Lypjanit ( por jo vetëm në këtë komunë)  i ish strukturave komuniste titiste, apo i bijve dhe bijave të tyre, i qet hije të zezë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, meqë ata  asnjëherë deri tani nuk i kanë kërkuar falje popullit liridashës për krimet që ata dhe baballarët e tyre  kanë kryer kundër bashkëkombësve të tyre , në kohën e Titos, Rankoviqit e Milosheviqit.


Askush nuk  kërkon linçim apo hakmarrje fizike  kundër  bijve dhe bijave të tyre, sepse veprat e tyre të liga janë shkruar në faqet e zeza dhe në faqet e turpit të historisë, por për hir të njerëzisë, për hir të faktit se ata trajtohen zyrtarë të Kosovës së pavarur,  e cila u çlirua falë gjakut të  derdhur për liri i  bijave dhe bijve më të mirë të kombit, ata të paktën duhet të kërkojnë falje për veprat e tyre të liga për krimet e baballarëve të tyre në shërbim të politikave antishqiptare të regjimeve pushtuese serbe e sllave.


 


Anashkalimi i emrave të Kadri Bebës e  Sali Rexhës nga emërtimi i shesheve në Lypjan është shkelje e rëndë e historisë kombëtare, sepse  këta dy emra luftëtarësh kanë biografitë më të pastra dhe më të pasura në mesin e personaliteteve më të shquara të historisë së rezistencës shqiptare, krahas Gjon Serreçit, Ajet Gërgurit, Ymer Berishës, Osman Bunjakut,  Sadik Ramës e disa të tjerëve. Duhet të shpalosen dokumentet arkivore, të lexohet historia e NDSH-së dhe e lëvizjeve  popullore kundër pushtimit serb e jugosllav, për të vërtetuar angazhimin e tyre në drejtin të ruajtjes së Shqipërisë Etnike dhe përpjekjeve deri në vdekje për ta mbrojtur idealin e lirisë dhe bashkimit të kombit.


 


Autori i këtij shkrimi, ka në dispozicion dosjet e 45 bashkëpunëtorëve shqipfolës, ndër më të dëmkosurit,  të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë dëshmuar nëpër gjyqet populiste kundër shqiptarëve liridashës  të NDSH-së në trevën e Lypjanit. Ata kanë qenë spiunë të  Sava Shurbatoviqit, Cveta Qanoviqit, Stanoje Aksiqit, Çedo Topalloviqit, Shaban Kajtazit, Zhivko Mitroviqit e disa UDB-ashëve të tjerë nga komuna e Lypjanit. Sapo të plotësohen edhe me dokumente relevante dhe faksimile të caktuara, pastaj edhe  me disa dëshmi gojore, të atyre të cilët kanë pësuar nga bashkëpunëtorët e Serbisë, dosjet e tilla  do të publikohen, për hir të gjakut të derdhur për liri, për hir të luftës fitimtare të UÇK-s- dhe për hir të kombit e Atdheut.  Thërras me këtë rast të gjithë historianët e publicistët të cilët disponojnë lëndë shkencore historike të nxjerrin në dritë emrat e mbiemrat e bashkëpunëtorëve të Serbisë, meqë edhe ashtu ata janë amnistuar, por kjo le të bëhet  si shërbim ndaj së vërtetës dhe me qëllim për të mos u përsëritur kurrë kolaboracionizmi dhe lufta vëllavrasëse.


 


Ahmet Qeriqi


25. 7. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …