Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se nga 69 mijë pako me fletëvotime të diasporës, janë verifikuar deri tani 28 mijë e 99 prej tyre, ndërsa 2 mijë e 57 janë refuzuar për shkak të mangësive të dokumentacionit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media sqaroi se arsyeja e refuzimit të këtyre pakove është se ato janë dërguar nga individë që nuk figurojnë më si votues të regjistruar, nuk kanë dorëzuar dëftesën e regjistrimit, apo janë dërguar më shumë se një herë. Procesi i vlerësimit të votave ka filluar më 9 shkurt dhe është në vazhdim, me 26 mijë e 13 pako të miratuara për numërim. KQZ pritet të përfundojë këtë fazë dhe të bëjë publik numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit. Ky proces është një hap i rëndësishëm për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, veçanërisht për votimin nga diaspora, që ka pasur një pjesëmarrje të madhe.
