Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti ka zhvilluar një bashkëbisedim me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, njofton Zyra e Kryeministrit. Në këtë bashkëbisedim, Komisioner Varhelyi e ka siguruar Hotin se një sasi e vaksinës COVID-19 do të arrijë në Kosovë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, teksa e kanë cilësuar si të papranueshme futjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë. Kryeministri e ka siguruar z. Varhelyi, se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Hoti me këtë rast e ka falënderuar z. Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.
