Komisioni për Arsim ka shqyrtuar kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar gjatë vizitës që ky komision dhe ai për Administratë Publike kanë bërë së fundi në Kosovën Lindore. Kryesuesi i komisionit Ismajl Kurteshi propozoi që t’i dërgojnë letra, një ministrit të Kulturës, tjetrën për ambasadorin e Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës lidhur me zgjidhjen e problemeve të parashtruara nga Këshilli. Anëtarët e komisionit kërkuan që mbi këtë çështje të mbahet seancë e veçantë ose të thirren ministrat përgjegjës në Komision. Teuta Haxhiu deputete e AAK-së tha se thirrja e ministrave dhe mbajtja e një debati parlamentar është nismë domosdoshme që Kosova duhet ta bëjë për ta ndihmuar Kosovën Lindore. Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma tha se rënia e banorëve në tri komunat tregon mos mbështetjen e Kosovës për çka e quajti të domosdoshme mbajtjen e një seance. Valentina Bunjaku, tha se është e rrugës të thirret një seancë dhe të thirren ministrat për të diskutuar lidhur me këtë çështje. Po ashtu u diskutua lidhur me tekstet e reja shkollore dhe riorganizimin e shkollave, për çka u dakorduan që të thirret ministri i Arsimit për raportim.