Komiteti për Komunitete, organi obligativ i Kuvendit të Komunës në Malishevë, ka mbajtur mbledhjen e tij të XI-të të rregullt, nën drejtimin e kryesuesit Amrush Helshani. Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e komitetit diskutuan disa çështje të rëndësishme për komunitetet pakicë dhe për komunitetin në përgjithësi, duke u fokusuar kryesisht në problemet infrastrukturore që po hasin banorët në vendbanimet e tyre. Anëtarët e komitetit paraqitën disa shqetësime dhe vërejtje lidhur me problemet teknike dhe infrastrukturore që po përjetojnë vendbanimet, ndërkohë që nuk u raportuan problematika të tjera të lidhura me çështje etnike. Temë tjetër e diskutimit ishte menaxhimi i mbeturinave dhe shërbimet tjera publike, shërbime për të cilat, anëtarët e komitetit thanë se janë të kënaqur me këto shërbime, sidomos me grumbullimin e mbeturinave. Kryesuesi i komitetit, Amrush Helshani, ka premtuar se do të angazhohet për adresimin e këtyre shqetësimeve dhe se do t’i paraqesë ato në organet përkatëse, me qëllim zgjidhjen e tyre sa më të shpejtë.