Komiteti për Komunitete në komunën e Kaçanikut mbajti mbledhjen e dytë për vitin 2017 , takimin e kryesoi kryesuesja e këtij komiteti Nazife Krasniqi. Në këtë takim u diskutua për pozitën aktuale të femrave në komunën e Kaçanikut, ku u tha se femra në Komunën e Kaçanikut ende ka nevojë për përkrahje dhe për emancipim të mëtejmë sidomos në aspektin e vendimmarrjes. Kryesuesja Krasniqi njoftoi se së bashku me anëtarët e Komitetit për Komunitete kanë vizituar Entin për Punësim si dhe Qendrën për Punë Sociale ku janë njoftuar për së afërmi me pozitën e femrës sa i përket çështjes së punësimit, ku është vënë re se numri i kërkesave për punësim është i njehtë me kërkesat e meshkujve, pra sipas saj edhe femrat sikurse meshkujt janë të gatshme për punë. Nga ana tjetër Elmihane Krasniqi koordinatore e HANDIKOS në Kaçanik, kërkoi më shumë përkrahje për nënat e personave me aftësi të kufizuara, pasi që sipas saj kjo kategori e femrave është më e izoluar. Debatit i kontribuuan edhe anëtarët e tjerë të komitetit asamblistët Pranvera Loku, Vlora Dema si dhe Shemsedin Abazi (Shoqëri Civile). Nga ana tjetër Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (QPS) Diana Reka, shpalosi raportin për vitin 2016 të Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Drejtoresha Reka tha se krahasuar me vitin 2015, në vitin 2016 ka pasur më pak raste të dhunës në familje në Komunën e Kaçanikut. Drejtoresha Reka tha se QPS-ja funksionon falë bashkëpunimit të mirë që ka me të gjitha institucionet relevantë që ndihmojnë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të kësaj qendre.