Komiteti për Politikë dhe Financa në Ferizaj kaloi të gjitha propozimet e ekzekutivit

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi kryesoi mbledhjen e radhës te Komitetit për Politikë dhe Financa. Në këtë mbledhje u diskutuan një varg pikash të rendit të ditës të cilat do të prezantohen në seancën e shkurtit të Kuvendit të Komunës. Me shumicë votash u kaluan të gjitha pikat e propozuara nga ekzekutivi. Diskutime më të gjata, anëtarët e KPF-së nga grupet politike të përfaqësuara në Kuvend, patën për propozim vendimin për vënien në diskutim publik të Rregullores për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për dhënien e dekoratave të miratuar më 01 Nr.27 të datës 31.03.2015. U dhanë propozime të ndryshme përkitazi me këtë dokument i cili po ashtu do t’i nënshtrohet diskutimit publik. Përfaqësimin e kësaj pike dhe arsyeshmërinë për këtë propozim vendim e dha drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani e cila tha se qëllimi i Rregullores për plotësim, ndryshimin e Rregullores për Dhënien e Dekoratave ka për qëllim që të fuzionoj disa prej dekoratave të parapara me rregulloren e vjetër, të zvogëlohen kostot financiare për disa nga dekoratat duke caktuar kufirin financiar të shpërblimit në para për këto dekorata, të riformuloj, riemërtoj dhe heq disa nga to, si dhe të shtoj dekorata të reja që ndan Kuvendi dhe Kryetari i Komunës. Po ashtu, anëtarët e KPF-së, patën diskutime edhe për propozim vendimin për vënien në diskutim publik të Draft Statutit të Muzeut të Kujtesës, duke sugjeruar zvogëlimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Profesional si dhe kushtet e kualifikimit shkollor për drejtorin e këtij institucioni. Në këtë mbledhje drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti Sadiku paraqiti para anëtarëve të KPF-së, propozim vendimin për rritjen e THV për vitin 2018 si dhe propozim vendimin për bartjen e mjeteve të THV-së nga viti 2018 në vitin 2019. Komiteti për Politikë dhe Financa i dha dritën jeshile edhe propozim vendimit për destinimin e pjesës së ngastrës kadastrale 1490-0 Z.K. Nerodime e Epërme, arsyeshmërinë e së cilës e paraqiti drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli. Ferizaj, në agjendën legjislative ka edhe miratimin e Rregullores për themelimin dhe strukturimin e asambleve komunale të fëmijëve, që paraqet komunën e parë që do të miratoj këtë dokument. Pjesëmarrës për të ndjekur zhvillimet përkitazi me këtë pikë, në këtë mbledhje ishin edhe anëtarët e Kuvendi të të Rinjve në Ferizaj. Pikë shtesë në këtë mbledhje, me miratimin e anëtarëve të KPF-së u fut edhe propozim vendimi për caktimin e dy kandidatëve për anëtarë të komisionit për ndarjen e bursave për student për vitin akademik 2018/2019. Seanca e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt është thirrur për datën 28.02.2019.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …