Drejtoria për Zhvillim Ekonomik e komunës së Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dy ditor (12 dhe 13 shkurt 2025) që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar potencialin turistik të Deçanit, duke veçuar bukuritë natyrore dhe mundësitë unike që ofron rajoni ynë për ecje malore, aventurë dhe turizëm të qëndrueshëm.
Si pjesë e shtegut Via Dinarica – Kosova, do të prezantojmë atë që e bën Deçanin një destinacion të jashtëzakonshëm. Nga malet e mahnitshme deri te kultura dhe tradita e pasur, Deçani është një vend ku natyra dhe historia takohen për të ofruar një përvojë të paharruar.
Kjo pjesëmarrje mundësohet nga Via Dinarica Kosova dhe mbështetet nga NaturKosovo, një iniciativë e financuar dhe promovuar nga AICS Tirana, me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë. Projekti zbatohet nga Volontari nel Mondo RTM dhe CELIM Milano, në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya, CAI – Club Alpino Italiano, Corpo Nazionale Soccorso Alpino e Speleologico (CNSAS), AITR – Associazione Italiana Turismo Responsabile dhe Agenzia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo.
Ju ftojmë të na vizitoni në standin tonë dhe të zbuloni më shumë rreth destinacionit tonë të mahnitshëm.