Komuna e Ferizajt sërish përfituese e dy projekteve të mëdha të Bashkimit Evropian

Gjatë ditës së sotme është shënuar një hap tjetër i suksesit në avancimin e mirëqenies së përgjithshme për qytetarët e Ferizajt. Me angazhim të përbashkët me ekspertë vendorë dhe një partneritet të mirëkonsoliduar me komunën e Çairit, Komuna e Ferizajt ka kaluar fazën e parë, shumë domethënëse, të përzgjedhjes nga BE të dy projekteve të mëdha, secili në vlerë prej 480,000.00 EURO, si pjesë e thirrjes për bashkëpunim ndërkufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Projekti i parë ka të bëjë me Prioritetin 3 të Thirrjes: “Mbrojtja e mjedisit, promovimi i adaptimit dhe zbutjes së ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rreziqeve”. Më konkretisht, projekti mundëson gjenerimin e burimeve për energji efiçiente dhe promovon përdorimin e energjisë së ripërtërishme në komunën e Ferizajt, duke shërbyer si model në gjithë vendin. Katër institucione arsimore publike (3 shkolla: “Kuvendi i Arbërit”, “Gjon Serreqi”dhe “Jeronim de Rada” dhe 1 çerdhe: “Ardhmëria Jonë”, ne Ferizaj do të përfitojnë drejtëpërdrejt përmes instalimit të sistemeve fotovoltaike për gjenerimin e energjisë efiçiente. Për më tepër, projekti vetëdijeson të rinjtë dhe të rejat e komunës së Ferizajt për mundësitë që ofron përfshirja në sektorin e energjisë së ripërtërishme dhe në aktivitetet për mbrojtjen e ambientit. Projekti i dytë ka të bëjë me Prioritetin 2 të Thirrjes: “Inkurajimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore”. Ndër të tjera aktivitete, projekti mundëson restaurimin dhe konservimin e njërit prej objekteve më të vjetra në komunën e Ferizajt, ish shkollës “Jerondim de Rada”, duke e adaptuar atë në qendër të trashëgimisë kulturore, me funksionalizimin adekuat të ambienteve përcjellëse. Në ditët në vijim, po punohet me përkushtim që në partneritet me komunën e Çairit dhe në bashkëpunim me ekspertët e angazhuar, të përgatiten që suksesshëm të tejkalojmë fazën e dytë të përzgjedhjes duke hapur rrugë që ky investim i çmuar i BE-së të arrijë fuqishëm tek qytetarët ferizajas duke përmirësuar ndjeshëm të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …