Komuna e Junikut njofton të gjithë autokombajnerët për masat që duhet ndermirën gjatë fushatës së korrje shirjeve

Me rastin e fushatës së korrje shirjeve komuna e Junikut njofton të gjithë autokombajnerët, që pasi jemi në prag të fillimit të fushatës së korrje-shirjes së drithërave të bardha, nga e cila fermerët tanë sigurojnë bukën për familjet e tyre, është e rëndësishme që autokombajnerët të njoftohen për përkujdesjen e shtuar dhe përgatitjen e nevojshme që duhet të bëjnë për të filluar dhe mbaruar me sukses procesin e korrje-shirjes. Ndonëse shumica e autokombajnerëve kanë përvojë të gjatë në fushatën e korrje-shirjeve dhe i dinë mirë masat paraprake që duhet ndërmarrë para fillimit por edhe gjatë procesit të korrje-shirjes, ne megjithatë po ju njoftojmë se është e domosdoshme që të merrni këto masa:

-Të posedoni me masat mbrojtëse kundër zjarrit-aparatin për zjarrëfikje dhe masat tjera ndihmëse,

– Të izolohet mirë Bateria (Akumulatori) që të mos ketë kontakt me pjesë metalike që do të mund të shkaktonin ndezje,

– Të mos pihet duhan gjatë punës me autokombajnë,

– Autokombajna të jetë në gjendje të rregullt teknike në mënyrë që humbjet e drithit gjatë korrje-shirjes të jenë minimale-jo më tepër se 3 %,

– Korrje-shirja e ngastrave të kryhet sipas renditjes së tyre dhe të mos bëhen kalime të pa arsyeshme apo lënie ngastrash të pa korrura,

– Trajtimi përkatësisht procesi i korrjes të jetë korrekt dhe i njëjtë për të gjithë fermerët, me mundësi të lehtësimeve në pagesa për fermerët që janë në gjendje të rëndë sociale,

– Të shfrytëzohet në maksimum koha optimale dhe e përshtatshme për kryerje sa më të shpejtë të kësaj fushate,

– Çmimi i korrje-shirjes prej 100 €/ha, i përcaktuar nga MBPZHR, DKB dhe FSB, të respektohet,

– Ndaj kombajnerëve që nuk u përmbahen masave të lartcekura do të merren masa ligjore nga ana e Drejtorisë komunale për bujqësi, Shtabi komunal për korrje-shirje , Drejtoria e Inspeksionit dhe Inspektori për preventiva emergjente. Me shpresë se do të kemi një fillim dhe ecuri të suksesshme të fushatës së korrje –shirjes dhe rendimente të larta të drithërave, ju përshëndesim dhe urojmë punë të mbarë, thuhet në njoftimin e komunës së Junikut drejtuar autokombajnerëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …