leoni

Komuna e Malishevës është e shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës Isni Kilaj

Komuna e Malishevës është e shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës Isni Kilaj

Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.

Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit.

Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.

Kujtojmë se në territorin e Komunës së Malishevës, janë vrarë afër 400 civil të pafajshëm, madje janë vrarë në mënyrën më mizore të mundshme dhe deri më sot, nuk është dënuar askush dhe nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për këto vrasje, as për dy masakrat e mëdha, atë të Burimit dhe të Gollubovcit.

Edhe njëherë, shprehim shqetësimin tonë për këto veprime të pandërprera të Gjykatës Speciale dhe policisë së EULEX-it, për përndjekjen e luftëtarëve të lirisë dhe kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të këtyre arrestimeve të pakuptimta.

Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme.

Ne besojmë në drejtësi, por drejtësi duhet të ketë për të gjithë. Lufta e UÇK-së, është një luftë e njohur nga të gjithë, luftë e cila i ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Malishevës

Ekrem Kastrati

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …