Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm, fillon me investime në infrastrukturën rrugore në fshatin Kërvasari, me rrugë në gjatësi rreth 900 metra. Fillimet e punimeve të kësaj rruge i ka parë nga afër, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Avdi Morina me bashkëpunëtorë. ”Rruga Shaip Bytyçi, ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të këtij fshati, prandaj edhe e kishim prioritet në këtë fillim vit dhe urojmë për punë të mbara të cila do t’u shërbejnë dhe janë në funksion të qytetarëve e qarkullimit më lehtë të banorëve të kësaj lagje me pjesën tjetër të fshatit, por mbi të gjitha nxënësve të asaj pjese, kjo rrugë ju lehtëson shkuarjen për në shkollë dhe në të njëjtën kohë, krijohet siguri për nxënësit”, tha drejtori Morina, i cili gjithashtu i ka uruar banorët e fshatit për rrugën dhe i ka siguruar ata, se të gjitha projektet e nisura, do të përfundojnë me kohë dhe sipas standardeve të parapara në kontratë të kontraktuar me kompaninë punëkryese. Rruga është investim i qeverisë komunale.