Në komunën e Malishevës, janë duke u zhvilluar aktivitete të shumta në kuadër të shënimit të 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Gjatë ditës së sotme, është mbajtur një mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës, ndërsa janë bërë nderime e homazhe para shtatores së Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në Malishevë, në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, në Kleçkë dhe në Prekaz, ndërsa aktivitetet e ditës së sotme do të përmbyllen me mbrëmje poetike. Në mbledhjen solemne të mbajtur në Kuvendin e Komunës së Malishevës, kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, në fjalën e rastit në këtë mbledhje, mes tjerash edhe njëherë e ka ngritur zërin kundër padrejtësisë që është duke u bërë ndaj krerëve të luftës dhe akterëve kryesor të lirisë dhe pavarësisë, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë. Përndryshe, kryetari i Komunës së Malishevës, në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve në këtë mbledhje solemne, ka folur për përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës, për liri dhe pavarësi, përpjekje të cilat kanë kulmuar me luftën çlirimtare të UÇK-së, të prirë nga komandanti Adem Jashari. Gjithashtu ka folur edhe për të arriturat e Kosovës si shtet, si dhe për kontributin e Malishevës me rrethinë, në të gjitha proceset të përpjekjeve për çlirimin dhe proceseve shtetndërtuese dhe të zhvillimit. Edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Argjend Thaçi, në fjalimin e tij, ka folur në mënyrë kronologjike për të gjitha përpjekjet e vendit tonë, për luftën çlirimtare, e deri te liria dhe pavarësia. Duke folur për luftën, kryesuesi Thaçi ka thënë, se “Liria e vendit tonë është vepër e luftës, vepër e secilit që ka lënë gjymtyrë trupi në frontet e luftës, vepra e dëshmorëve e cila është kushtetutë e lirisë sonë”. Ndërsa kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, duke i uruar të gjithë qytetarët, ka bërë thirrje që të mos luhet me dinjitetin e veteranëve, të mos luhet me sakrificën e dëshmorëve dhe që politika të mos i shfrytëzoj vlerat e luftës, e sidomos të mos nënçmohet lufta e UÇK-së. Kryeziu dhe të gjithë folësit, kanë bërë thirrje që të nesër, masovisht të festojnë në Prishtinë, në manifestimin “Festojmë me JU”, në mbrojtje dhe përkrahje për krerët e luftës të cilët janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë.