Komuna e Malishevës nderon dëshmorët dhe mbajti mbledhje solemne për shënimin e 28 Nëntorit

Komuna e Malishevës nderon dëshmorët dhe mbajti mbledhje solemne për shënimin e 28 Nëntorit

Komuna e Malishevës, nën patronazhin e kryetarit Ekrem Kastrati, me rastin e festave të nëntorit, ka zhvilluar disa aktivitete. Me këtë rast, sot është mbajtur një mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës, si dhe janë  bërë nderime dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz.

Fillimisht, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur mbledhje solemne, ku është folur për rëndësinë e festave të nëntorit, përkatësisht datës 28 Nëntor, datë në të cilën lidhen shumë ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar, duke filluar nga viti 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ngriti flamurin Kuq e Zi në Krujë, për të vazhduar më 28 Nëntor të vitit 1912, me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Por nëntorët nuk u ndalën në këto dy ngjarje, pasi më 28 nëntor 1955, lindi Adem Jashari, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri e cila paraqitjen e saj të parë publike e bëri më 28 nëntor të vitit 1997.

Për rëndësinë e kësaj date të shenjtë për popullin shqiptar, ka folur edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në fjalën e tij, në mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës. “Shënimi i kësaj date, është gjëja më e vogël që mund të bëjnë ne, në këtë rrugëtim të gjatë e plotë sakrifica të kombit shqiptar, rrugëtim në të cilin, kontribut të madh ka dhënë edhe territori i Llapushës, përkatësisht i Malishevës, në të gjitha përpjekjet dhe lëvizjet e popullit shqiptar, në të gjitha kohërat”, tha mes tjerash kryetari Kastrati, në fjalën e tij, dhe i ka uruar të gjithë qytetarët, “Gëzuar festat e Nëntorit”, e në mënyrë i ka uruar bashkëluftëtarët që tashmë janë në Hagë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Isni Kilaj, Nasim Haradinaj, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala

Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi, në fjalën e tij, në mënyrë kronologjike i ka paraqitur përpjekjet e popullit shqiptar, duke u ndalur në datën më të rëndësishme, që lidhen ngjarjet më të mëdha historike, datën e 28 Nëntorit. “Ne kemi datat tona që i festojnë dhe i shënojmë me krenari, e natyrisht që data ë e rëndësishme për ne, është 28 Nëntori, ku lidhen të gjitha ngjarjet më të rëndësishme për kombin tonë”, ka thënë kryesuesi Thaçi.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetari Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, Sinan Gegaj, i cili gjithashtu ka folur për rëndësinë e 28 Nëntorit dhe historisë së popullit shqiptar, në përpjekjet e tyre shekullore për liri, përpjekje e cila kulmoi me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Tetë vjet më parë, Televizioni Dielli ka filluar transmetimin e programit kulturor, informativ, edukativ e arsimor

Sot TV Dielli shënon tetë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Tetë vjet më parë,  më 11 …