Komuna e Malishevës pasuron me libra bibliotekën “15 Maturantët”

Në prag të 20-vjetorit të tragjedisë së aksidentit në Fushë Arrëz, ku humbën jetën 15 maturantë të Gjimnazit të Malishevës, Komuna e Malishevës, përmes Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ka pasuruar bibliotekën e këtij gjimnazi me një fond të ri librash. Me këtë rast, u mbajt një orë letrare në përkujtim të maturantëve të ndjerë.

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, e cila ishte bashkëkohëse me viktimat, kujtoi me emocion këtë ngjarje tragjike. Ajo theksoi se pasurimi i bibliotekës është një mënyrë e veçantë për të nderuar kujtimin e tyre, duke qenë se ata ishin pjesë e këtij gjimnazi dhe kjo bibliotekë mban emrin e tyre.

Krasniqi bëri të ditur se, me mbështetjen e kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, janë përkrahur edhe bibliotekat e tjera shkollore me një fond prej rreth 150 mijë euro, duke shtuar tituj kryesisht shkencorë në fushën e albanologjisë.

Në këtë aktivitet, profesori Ramiz Sopaj, i cili mbajti një fjalë për ngjarjen, foli edhe për rëndësinë e aktiviteteve kulturore që mbahen në përkujtim të maturantëve.

Në përmbyllje, nxënësit e klasës së 11/8 organizuan një orë letrare kushtuar 15 maturantëve dhe shfaqën një dokumentar për tragjedinë e 14 tetorit 2004, ku humbën jetën 15 maturantët nga komuna e Malishevës.

I tërë aktiviteti, u përshkrua me emocion dhe me lot në sy nga të gjithë të pranishmit.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …