Komuna e Malishevës është përzgjedhur për t’u bërë pjesë e programit të USAID-it “Buxhetimi me Pjesëmarrje”, që përmes kësaj, synohet rritja e përfshirjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe rritja e transparencës në hartimin e buxhetit komunal. Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, pritën sot në takim pune zyrtarët e USAID-it në Kosovë, Rozafa Ukimeraj dhe Alban Krasniqi, ku u diskutua përfshirja e komunës së Malishevës në këtë projekt të rëndësishëm që do të implementohet për herë të parë. Kryetari Kastrati shprehu gatishmërinë e komunës për t’u përfshirë në program, duke theksuar rëndësinë e praktikës së buxhetimit me pjesëmarrje. “Buxhetimi me pjesëmarrje është një praktikë e mirë që aplikohet në vendet e zhvilluara dhe na ndihmon neve si institucion që qytetari të jetë vendimmarrës në hartimin e projekteve për vendbanimet e tyre”, tha Kastrati. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e USAID-it, Rozafa Ukimeraj dhe Alban Krasniqi, prezantuan detaje mbi programin dhe përfitimet e programit për Komunën e Malishevës. Ata theksuan se kjo iniciativë do të rrisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në procesin e buxhetimit dhe do të forcojë transparencën në raport me qytetarët. Të dy palët u dakorduan për fillimin e implementimit të projektit, duke theksuar se qytetarët do të jenë vendimmarrës dhe përzgjedhës të projekteve që do të realizohen në vendbanimet e tyre.