Është nënshkruar në ambientet e ndërtesës së administratës komunale në Mitrovicë, Memorandumi i Mirëkuptimit midis komunës së Mitrovicës dhe Organizatës ndërkombëtare “Save the Children”.
Memorandumi i nënshkruar nga nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi dhe Ahmet Kryeziu, drejtor për Kosovën i “Save the Children”, ka për qëllim realizimin e një programi për mbështetje humanitare dhe përpjekjeve për zhvillim institucioneve të arsimit të komunës së Mitrovicës në të gjitha nivelet dhe institucioneve nga fusha e shëndetësisë, pastaj në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe qeverisjes për të drejtat e fëmijëve.
Për realizimin e memorandumit përgjegjësi kryesore do të kenë Drejtoria komunale për Arsim, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale. Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis dhe Koordinatori i Njësisë për të Drejtat e Njeriut.
Organizata “Save dhe Children” do të ketë përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të synuara në arsimin gjithëpërfshirës, mbrojtjen e fëmijëve, qeverisjes së të drejtave ët fëmijëve, shëndetësisë, zbatimin e praktikave gjithëpërfshirëse për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë në mjediset e shkollës dhe aftësinë e rimëkëmbjes kundër fatkeqësive natyrore etj.
Nënkryetari Kamberi tha se ky memorandum ka rëndësi të madhe, sepse përmes programeve të ndryshme mbështet mbrojtjen e gjithanshme të fëmijëve dhe sigurimin e edukimit dhe arsimit më cilësor të tyre.