Në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, nën organizimin e Drejtorisë Komunale për Arsim, është mbajtur program festiv për nder të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit. Të pranishëm në programin festiv ishin: Nënkryetari i Komunës, z. Fatmir Iska, drejtorë të drejtorive, drejtor të shkollave, mësimdhënës, nxënës dhe prindër. Një fjalë rasti e ka mbajtur, z. Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim, i cili ka thënë se sot u bënë 136 vite që nga 7 Marsi i vitit 1887, nga dita kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Pas shumë luftërave, përpjekjeve dhe sakrificave të rilindasve tanë, në këtë ditë u hap Mësonjëtorja e Parë. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare, si: Mësuesi dhe Drejtori i parë Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, Thanas Sina e atdhetarë të tjerë. Në vazhdim, për një fjalë rasti, Kryetarja e Këshillit Komunal të Prindërve, znj. Erseka Cana është shprehur se ndihet e nderuar dhe e privilegjuar që me rastin e 7 marsit të ju uroj këtë ditë të rëndësishme të gjithë mësimdhënësve. Programin kulturor e artistik e kanë begatuar me këngë nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët të Muzikës “Faik Sylka” në Rahovec, kurse poezitë dhe recitimet ishin përgatitur nga nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Në fund, është bërë ndarja e mirënjohjeve për mësimdhënësit e pensionuar, punëtorët ndihmës dhe nxënësit fitues të garave komunale.