Komuna e Skenderajt nderon sakrificën e Komandatit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në 27 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Me rastin e shënimit të 27 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekazin e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, së bashku me kryesuesen e Kuvendit Komunal, Adelina Spahiu, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, asamblistë, drejtorë, deputetë, familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në nderim të sakrificës së familjes Jashari ku edhe vendosën buqeta me lule për të vazhduar me homazhe përkujtimore edhe në Memorialin e Dëshmorëve në Marinë.
Me këtë rast u vlerësua lartë lufta dhe sakrifica e komandantit legjendar, Adem Jashari, e familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.
Për nder të Epopesë së UÇK-së, është mbajtur edhe seanca solemne nga Kuvendi Komunal i Skenderajt, ndëraq në Palestrën Sportive “Ilaz Kodra” është zhvilluar turneu tradicional në volejboll në konkurrencën e femrave, me pjesëmarrje të klubeve të ndryshme shqiptare.
Ndërkaq në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është bërë rreshtimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Fadil Nura.
Aktivitetet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, përkatësisht me 6 dhe 7 mars.
Lavdi e përjetshme Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, thuhet në komunikatën e komunës së Skënderajt.