Komuna e Skenderajt përkrah me 40 mijë euro klubet sportive

Nën udhëheqjen e Kryesueses Fatbardha Haliti, Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur seancën e radhës, në të cilën janë diskutuar një sërë propozimesh që ishin të parapara për rend të ditës. Në këtë seancë u miratua edhe propozim –vendimi, për ndihmë emergjente për ndarje të ndihmës financiare prej 40 mijë euro për klubet sportive të Komunës së Skenderajt. Ky propozim –vendim u paraqit pas gjendjes së krijuar nga koronavirusi, pandemi kjo e cila ka dëmtuar edhe ekipet sportive të komunës së Skenderajt. Gjatë kësaj seance, po ashtu i pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, njoftoi kuvendin për situatën aktuale të komunës përballë luftës ndaj virusit COVID-19. “Deri me tani nga të infektuarit kemi 2 të shëruar, 2 të tjerë në QKUK duke u trajtuar dhe 2 të tjerë në shtëpi të izoluar dhe pa simptoma duke pritur testimin e radhës. QKMF është duke ofruar shërbime të rregullta për pacientë, kurse ekipi në Jarinjë po vazhdon të jetë aktiv në kontrollimin e personave që hyjnë në Kosovë”, njoftoi Jashari. Kryetari Jashari bëri të ditur se po vazhdon përkrahja për familjet në nevojë, duke iu dhënë pako ushqimore dhe higjienike, ku deri me tani janë ndarë pako për 1300 familje nga 1500 sa janë në dispozicion nga buxheti i ndarë komunal, kurse nga përkrahja e donatorëve janë përkrahur mbi 850 familje në asistence sociale. “Pra në përgjithësi, falë punës së përbashkët dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me qytetarët situatën tani për tani e kemi nën kontroll dhe nëse vazhdojmë kështu duke respektuar vendimet dhe masat parandaluese do të arrijmë që të parandalojmë përhapjen e virusit në komunën tone”, u shpreh tutje Kryetari Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …