Organizuar nga Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim dhe Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Vitisë, ka filluar cikli i diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2020-2022. Diskutimi i parë është mbajtur në qytetin e Vitisë ku banorët e qytetit nga afër janë njoftuar me buxhetin e vitit 2020. Me këtë rast Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu ndër tjerash tha se Komuna e Vitisë, edhe sivjet po e ndjek praktikën e mirë që hartimi i buxhetit komunal, në veçanti i listës për investime kapitale të bëhet në bashkëpunim me qytetarët e kësaj komune. Ai potencoi se gjatë këtij viti janë paraparë të mbahet 15 diskutime publike nga Komuna e Vitisë dhe 7 nga Instituti Demokratik i Kosovës në lokalitet e ndryshme por edhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë. “ Sot nga qyteti i Vitisë po fillojmë me mbajtën e diskutimeve publike për hartimin e buxhetit komunal për vitet në vijim. Natyrisht se buxheti komunal është i qytetarëve prandaj ne këtë buxhet në veçanti listën për investimeve kapitale po e hartojmë në bashkëpunim me ta. Ndonëse mjetet financiare për investime kapitale janë të kufizuara megjithatë ne mbesim të përkushtuar që në bashkëpunim me qytetarët të caktojmë prioritetet për investime”, u shpreh zv. Kryetari Aliu. Ndërkaq Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim prezantoj draft buxhetin për vitin 2020 duke theksuar se pjesa më e madhe e buxhetit shkon në kategorinë paga dhe mëditje. Drejtori Rama bëri me dije se buxheti i planifikuar për vitin 2020 për Komunën e Vitisë do të jetë 12 milion e 305 mijë euro, nga to për paga dhe mëditje do të shkojnë rreth 8 milion e 864 mijë euro, për mallra dhe shërbime 1 milion e 630 mijë euro, shërbimet komunale 279 mijë euro, subvencione 250 mijë euro dhe investime kapitale prej 1 milion e 606 mijë euro.
Ndërkaq Kryetarja e Qytetit të Vitisë, Xhilsime Qamile në fillim të këtij takimi falënderoj institucionet komunale për investimet e bëra në qytetin e Vitisë dhe kërkoj me banorët që të bashkëpunojnë me këshillin e Qytetit që nevojat për investime të adresojnë në Institucionet Komunale të Vitisë. Ndërkaq banorët e qytetit në pjesën e dytë të këtij takimi kanë paraqitur nevojat e tyre për investime si: Rregullimi i kanalizimit prapa objektit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, rregullimin e Komunikacionit në udhëkryqin Viti-Pozheran konkretisht implementimin e Planit të Mobilitetit me qëllim të uljes së rrezikut nga aksidentet në komunikacion, mbylljen e bulevardit të qytetit për mjetet motorike, rregullimin e kulmit të shkollës “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, rregullimin e kanalizimit në rrugën “Sherif Frangu”, rritja e kapaciteteve të ujit brenda qytetit, vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale dhe të shenjave të komunikacionit, emërimin e një rruge brenda qytetit me emrin e dëshmorit Rashit Mustafa-Komandant Karadaku, sigurimin e një strehimore për qenët endacak si dhe pas digjitalizimit që është bërë i shkollave me laptop të bëhet edhe pajisja e tyre me projektor. Ndonëse për dje ishte e paraparë të mbahet një diskutim i tillë me banorët e fshatit Kabash me kërkesën e tyre është shtyrë ky takim.