leoni

Komuna e Vitisë nderon Ambasadorin e OSBE-së, z. Michael Davenport, me dekoratën “Emblema e Qytetit”

Në një ceremoni të veçantë të mbajtur sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti nderoi Ambasadorin e OSBE-së, Z. Michael Davenport, me dekoratën “Emblema e Qytetit”. Ky çmim, një shenjë e vlerësimi dhe respekti për kontributet e tij të jashtëzakonshme, iu dorëzua Ambasadorit Davenport për angazhimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme në zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e qeverisjes lokale në Kosovë. Në fjalimin e tij, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti foli për bashkëpunimin e komunës së Vitisë me OSBE-në si dhe rreth këtij çmimi që ai ndau për ambasadorin Davenport. “Është një nder i veçantë për mua sot, si kryetar i komunës së Vitisë, të jem këtu për të ndarë këtë çmim një njeriu që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në përparimin dhe demokratizimin e qeverisjes lokale të komunës tonë. Kjo dekoratë është një shprehje e falënderimit dhe mirënjohjes së thellë të qytetarëve dhe institucioneve tona për z. Michael Davenport, ambasador i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”, u shpreh kryetari Haliti. Ai po ashtu tha se ambasadori Davenport dhe misioni i OSBE-së në Kosovë për më shumë se 25 vite, kanë ndihmuar në forcimin e institucioneve lokale, duke promovuar transparencën, llogaridhënien, të drejtat e njeriut dhe përfshirjen qytetare në proceset vendimmarrëse. Ndërkaq ambasadori Michael Davenport, duke falënderuar kryetarin Haliti dhe komunën e Vitisë për këtë vlerësim, u shpreh se është kënaqësi shumë e madhe të jetë prezent këtu në komunën e Vitisë, dhe një nderim i madh për të pranuar dekoratën e qytetit. Këtë dekorat mund ta pranoj me vetëm një kusht që kjo të bëhet në emër të gjithë stafit, duke filluar nga qendra rajonale në Gjilan”, e pastaj misionit të OSBE-së në tërësi. Do të doja të nënvizoj kontributin e kryetarit Haliti , pasi që nga takimi i parë që kam pasur me të, kam vërejte se do të kemi shumë gjëra të përbashkëta. E them me shumë të drejt që misioni ynë ka qenë për 25 vjet dhe gjitha të arriturat i kemi bërë së bashku, duke filluar nga qeverisja e mirë brenda komunës, pastaj avancimi i çështjes së barazisë gjinore, trajtimi i mirëfilltë dhe i rregullt i komunitetit jo shumicë, bashkëpunimi dhe arritjet brenda Këshillit për Siguri në Bashkësi, duke përfshi edhe angazhimin e policisë së Kosovës, janë arritje tuajat që i keni realizuar së bashku. Ne vetëm mund të shprehim krenarin që kemi qenë përkrah jush për të gjitha të arriturat, tha Davenport. Pas ceremonisë që u mbajt të Viti,  ata së bashku vizituan pemën e mbjellë në nder të mbretëreshës Elizabeth II të Mbretërisë së Bashkuar në parkun e qytetit të Vitisë, si dhe më pas vizituan edhe obeliskun e gazetarit të vrarë në detyrë, Kerem Lawton, ku edhe vendosën lule për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e tij për lirinë e medias.

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …