Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve që është mbajtur sot, e cila është udhëhequr nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u bë e ditur se, vetëm gjatë kësaj jave komuna e Vitisë ka përfituar tri projekte të rëndësishme. Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë, u shpreh se këto projekte janë rezultat i punës së palodhshme dhe vetëm dy prej tyre që janë nga Bashkimi Evropian, kapin vlerën mbi 2 milion euro (Projekti “Bridging regions”, nga Bashkimi Evropian (EU) nëpërmjet programit të bashkëpunimit ndërkufitar “Cross-border cooperation” dhe projekti i renovimit të shkollës së mesme “Kuvendi Lezhës” në Viti), si dhe projekti tjetër nga USAID-i amerikan, që ka të bëjë me kontratat sociale. Gjithashtu, kryetari Haliti kërkoi nga këshilli i drejtorëve që të shtohen të gjitha kapacitetet në të gjitha drejtoritë, në veçanti shtimi i orarit të punës tek gjendja civile, si dhe të jenë në nivelin më të lartë institucional gjatë kësaj periudhe kur bashkatdhetarët tanë janë nëpër familjet e tyre. Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje u diskutua edhe për pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar – qershor 2023.