Komuna e Malishevës, ka filluar me mbajtjen e debateve me qytetarë, në kuadër të procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin e ardhshëm, përkatësisht për nxjerrjen e prioriteteve për investimet kapitale. Komuna e Malishevës, në tri vitet e fundit, e ka krijuar këtë traditë të debateve me qytetarë, për hartimin e prioriteteve komunale. Për këtë qëllim, mbrëmë, është mbajtur debati parë me banorët e fshatit Drenoc, si vendbanimi më i madh në Komunën e Malishevës.
Në këtë debat, morën pjesë, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina dhe drejtoresha për kulturë, rini dhe sport Blerta Krasniqi.
Fillimisht kryetari Begaj, i ka njoftuar banorët e Drenocit, për qëllimin e takimit, si dhe për investimet komunale, që janë bërë deri më tani në këtë fshat, siç janë rrugët, ujësjellësi, kanalizimi, fusha sporti dhe të tjera, dhe më pas kërkoi që vet banorët ti paraqesin nevojat e tyre, në mënyrë që qeveria komunale, të ketë më të lehtë hartimin e prioriteteve për investime në vitin në vijim.
Ndërsa drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, i njoftoi për procesin e hartimit të buxhetit komunal, forma e hartimit të buxhetit, hartimi i projekteve për investime kapitale, si dhe i njoftoi për buxhetin tërësi. Sipas Krasniqit, për investime kapitale për vitin 2017, komuna ka rreth katër milion euro dhe këto mjete, do të investohen, ashtu siç i paraqesin kërkesat e tyre vet banorët, si dhe përmendi edhe kriteret, që sipas Krasniqit, fshatrat dhe lagjet që janë tatimpagues më të rregullt, do të kenë përparësi në investime kapitale.
Edhe drejtori urbanizimit, Ahmet Morina, i njoftoi për projektet që janë duke u realizuar në Drenoc, ku krahas rrugëve, prioritet i këtij viti është rregullimi i tërësishëm i kanalizimeve, pasi në këtë vit do të realizohen rreth nëntë kilometra kanalizim, duke e përmbyllur ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat.
Kryetar i fshatit, Kapllan Krasniqi, tha se fshati i tyre, ka nevojë për rregullimin e kanalizimi dhe disa rrugëve, dhe sipas tij komuna deri diku i ka përmbushur kërkesat e banorëve, pasi është rregulluar ujësjellësi, disa rrugë janë shtruar, por përfundimi i kanalizimit, është nevojë emergjente, dhe ky projekt është duke u realizuar, sikur edhe ndërtim i trotuareve.
Sa i përket kërkesave të banorëve, krahas kanalizimit, ata kanë nevojë edhe për rregullimin e trotuareve, pasi asfaltimi i rrugëve, ka nxjerrë nevojën e rregullimit të trotuareve. Përveç këtyre dy kërkesave, banorët e fshatit kanë kërkuar, që sipas mundësive, të ndërtohet edhe një palestër sportive, për të rinjtë sportist të fshatit. Në fund, të takimit, u vendos që kryesia e fshatit që përbëhet nga përfaqësues të të gjitha lagjeve, të hartoj me shkrim kërkesat, dhe ti sjellë në drejtorinë përkatëse në komunë.