Komunat veriore të Kosovës nuk i kanë përfillur masat e shtetit të Kosovës. Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku sërish iu bindën urdhrave të kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19). Kjo nënkupton se personat e moshuar nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë, ndërsa në ditët e ardhshme organet kompetente do të kontrollojnë nëse qytetarët u përmbahen masave qeveritare. Vuçiq u bëri thirrje të rinjve të mos i vizitojnë të moshuarit e as të mos i dërgojnë fëmijët e tyre për vizitë të gjyshërit. Komunat e veriut në Kosovë kanë vendosur t’i zbatojnë këto urdhra. Të ashtuquajturat Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos dalë nga shtëpitë prej orës 20:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.
