KOMUNIKATË PËR SHTYP: ‘UNË KAM NJË LIGJ QË MË MBRON’ – FËMIJËT SHËNOJNË 1 QERSHORIN

KOMUNIKATË PËR SHTYP: ‘UNË KAM NJË LIGJ QË MË MBRON’ – FËMIJËT SHËNOJNË 1 QERSHORIN

Me rastin e shënimit të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Habit Hajredini, përfaqësues të grupit të udhëhequr nga fëmijët ‘Respect our Rights’ dhe përfaqësues të Save the Children Kosova/o lansuan udhëzuesin miqësor për fëmijë të Ligjit Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës. Ky udhëzues u prezantua edhe në takimin e Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, i cili kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ky udhëzues synon ti ndihmojë fëmijët të mësojnë se çka u garanton Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, se kush obligohet që ti mbrojë, se ku mund të kërkojnë llogaridhënie dhe se çfarë përgjegjësi u takojnë. Ky udhëzues është krijuar për fëmijët, nga fëmijët dhe me ndihmën e të rriturve nga Save the Children Kosova/o në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me mbështetje financiare nga Meridian Express.
Prej sot, me vendim të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, udhëzuesi “Unë kam një Ligj që më mbron”, i përpiluar në gjuhën shqipe, serbe, rome dhe turke do të jetë pjesë e lëndëve mësimore në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
Tre vite më parë, në muajin Qershor, Kosova u bë shteti i 55-të në botë që ndaloi ndëshkimin trupor të fëmijëve, në çfarëdo forme, në të gjitha mjediset. Që nga atëherë, shteti ynë  garanton se gjithëpërfshirja, interesat dhe pikëpamjet e fëmijëve vendosen në qendër të familjes, të institucioneve edukativo-arsimore dhe të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.  Këto kthesa pozitive për të drejtat e fëmijëve u arritën përmes aprovimit të këtij Ligji.
Save the Children Kosova/o bën thirrje që këto garanci ligjore të zbatohen nga institucionet e vendit, bartësit e detyrave dhe mbarë shoqëria Kosovare, në mënyrë që ato të marrin efekt të menjëhershëm në jetërat e fëmijëve.
1 Qershor 2023
Prishtinë, Republika e Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Ka ndërruar jetë Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara

Ka ndërruar jetë, Lulzim Cara, babai i Heroit të Kosovës, Indrit Cara. Lulzimi ishte një …