Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se konferenca për përgatitjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të mbahet më 18 janar 2023 duke filluar nga ora 09:30. Aty do të diskutohet lidhur me gatishmërinë e palëve që gjykimi të fillojë më 1 mars 2023 dhe kohëzgjatjen e fjalës hyrëse të tyre dhe çështje të tjera procedurale dhe substanciale. Në këtë njoftim thuhet se gjatë seancës, ndër të tjera, paneli do të kërkojë sqarime nga palët lidhur me procedurën nëse ZPS-ja ka përfunduar me nxjerrjen e provave dhe listën e dëshmitarëve të cilët do t’i paraqesë në gjyq, raporton “Betimi për Drejtësi”. Poashtu do të diskutohet edhe për pretendimin e përgjegjësisë komanduese, pastaj për domosdoshmërinë e provave për pretendimet lidhur me krimet serbe të kryera gjatë asaj kohe, pikëpamjet e palëve nëse të burgosurit e asaj kohe që ishin anëtarë të forcave të armatosura bien në kategorinë e përshkruar nga ZPS si “popullsia civile e kundërshtarëve” dhe faktorët që paneli duhet të marr parasysh në vlerësimin nëse kjo e fundit ishte me natyrë kryesisht civile.
