Drejtoria Komunale për Arsim në komunën e Shtimes ka organizuar dhe ka mbajtur Konferencën me temën: “Trendet e arsimit parauniversitar në Kosovë dhe reflektimi i tyre në Shtime”, e cila është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës.
Në këtë Konferencë kanë marrë pjesë ekspertë të arsimit, nga niveli qendror dhe nga niveli lokal.
Fillimisht, kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli, ka përshëndetur punën e kësaj Konference të cilën e ka vlerësuar si sukses i sferës së arsimit në komunë. Ai gjithashtu ka folur për trendet e zhvillimit në arsim, duke vlerësuar se arsimi ka përballuar sfidat më të vështira ndër vite. Ndër të tjera ka veçuar veprimet praktike në fushën e arsimit kurse për synimin e Konferencës ka thënë se është që të prezantohen të arriturat dhe mundësitë reale me qëllim të ndryshimit në të mirë të shoqërisë si dhe a është arsimi në trendet e kërkesave të tregut.
Punimet e Konferencës i ka përshëndetur Prorektori z. Naser Sahiti, në emër të rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili tha se praktikën e komunës së Shtimes për mësimin tërditorë në shkolla duhet zbatuar në gjithë Kosovën.
Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit për Retrospektivën e arsimit parauniversitar në komunën e Shtimes, sfidat dhe synimet, ka folur drejtori z. Hajrullah Ademaj Ai gjerësisht ka folur për reformat në arsim duke i cilësuar si të domosdoshme për përgatitjen më të mirë të kuadrove për sfidat me të cilat ballafaqohen në profesionin e tyre. Ai, arsimimin dhe edukimin, në përgjithësi, e ka vlerësuar si proces kompleks dhe që paraqet sfidë sidomos për punonjësit e kësaj fushe.
Prezantimin për “Sfidat dhe përfitimet e arsimit gjithëpërfshirës në Kosove” e ka bërë Lulavere Kadriu-Behluli, udhëheqëse e Divizionit për Arsimin me Nevoja të Veçanta në MASHT.
Për temën “Sistemi i licencimit të mësimdhënësve në Kosovë” ka folur Selim Mehmeti, hulumtues për Standarde dhe Vlerësim në Institutin Pedagogjik të Kosovës.
“Edukimi parashkollor dhe përgatitja e fëmijëve për klasë të parë” është elaboruar nga Labëri Luzha, u.d. drejtoreshë e Institutit Pedagogjik të Kosovës.
“Qasjet dhe metodologjitë e reja në arsim” i ka prezantuar Prof. Dr. Xhavit REXHAJ, prorektor për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion në Kolegjin AAB.
“e-Shkolla në Shekullin 21” ka qenë temë që u prezantua nga Kujtim GASHI, drejtor i Agjencionit të Shoqërisë së Informacionit.
Tema “Edukimi dhe orientimi i të rinjve në profesione jetësore” është prezantuar nga Prof. Dr. Asc. Januz DERVODELI, dekan në Fakultetin e Edukimit në Gjilan.