Si përgjigje ndaj pyetjeve të kongresistit Eliot L. Engel, të cilat janë bërë për sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson dhe zëvendës sekretarin për Çështje të Shtetit, John Sullivan, Departamenti i Shtetit ka shprehur besimin se “ata që janë fajtorë për lëvizjen e trupave të civilëve shqiptarë nga Kosova në varreza masive klandestine në Serbi për të fshehur provat e masakrave të mëparshme, duhet të sillen para drejtësisë.” Departamenti ka sjellë raportin nga Qendra për të Drejtën Humanitare në vëmendjen e Prokurorit të sapo zgjedhur të Serbisë për krimet e luftës.
Kongresisti amerikan Elliot Engel ka shprehur shqetësimin për mungesën e drejtësisë për vrasjet dhe krimet e kryera nga Qeveria e Serbisë gjatë dhe pas luftës së Kosovës. “Presidenti serb Vuçiç dhe Daçiq u kanë premtuar zyrtarëve të lartë amerikanë për shumë vite që ata do të sillnin para drejtësisë autorët e këtij krimi dhe krimin e djegies së ambasadës tonë në vitin 2008. Ata të dy po ashtu më premtuan edhe mua”, tha ai.
Engel po ashtu ka theksuar se vrasja masive e 1 mijë civilëve është krim kundër njerëzimit, por kryerësit e veprës kanë mbetur të padënuar. “Provat konfirmuar se vendimi për të fshehur provat e krimeve të kryera ishte planifikuar qysh në mars të vitit 1999, në nivelin më të lartë të qeverisë, dhe tregoi se anëtarët e dy departamenteve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë (Departamenti i Sigurimit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike) dhe Departamentet e Ushtrisë Jugosllave përgjegjëse për “pastrimin e terrenit” ishin të përfshirë në të. Ka kaluar një kohë e gjatë për Beogradin që të përballet me faktet dhe t’i sjellë njerëzit në drejtësi – duke përfshirë zyrtarët e saj të lartë, të cilët qëndrojnë prapa këtyre krimeve”, është shprehur Engel.
Ai po ashtu ka shprehur shqetësimin e thellë me mungesën e drejtësisë për vrasjet dhe krimet e kryera nga Qeveria e Serbisë Ndërsa, sekretari i Shtetit Tillerson, ka ndarë mendimin me kongresistin Engel lidhur me mungesën e progresit në rastin Bytyqi dhe djegien e ambasadës amerikane në Beograd në vitin 2008. Ai ndër tjerash ka thënë se Serbia ka emëruar prokurorin e ri special për krime lufte, një pozitë kjo që kishte mbetur vakante për vite, dhe tash SHBA kanë bërë thirrje që rasti i vëllezërve Bytyqi të jetë prioritet i saj. “Ne shpresojmë se ky emërim do të shërbejë në përparim të hetimeve mbi përgjegjësit për vrasjen në rasti Bytyqi”, ka thënë Tillerson.