Kontrata kolektive për punonjësit e kulturës do të nxisë rritjen e kreativitetit dhe efikasitetit në fushën e kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është takuar me drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të udhëhequr nga kryetari Rrahman Jasharaj. Ndërmjet ministrit Gashi dhe kryetarit Jasharaj u bisedua për situatën në të cilën ndodhen punëtorët profesional të kulturës në vendin tonë dhe hapat që duhet të ndërmerren, me qëllim të përmirësimit të drejtave dhe kushteve për këtë kategori. Kryetari Jasharaj e uroi ministrin për marrjen e detyrës së re. Ai u shpreh se pret nga ministri Gashi që të bashkëpunojë me sindikatën ashtu që punëtorët e kulturës, krijuesit që janë të angazhuar nëpër institucionet kulturore në vend, të merren parasysh dhe në koordinim të përbashkët të finalizojnë kontratën kolektive me kategorinë në fjalë. “Është e nevojshme që të krijohet një grup punues i përbashkët i SBASHK-ut dhe MKRS-së që të finalizohet kontrata kolektive për punëtorët e kulturës”, tha Jasharaj. Ministri Gashi u shpreh se do të bashkëpunojë ngushtë me SBASHK-un, në të mirë të mbrojtjes së interesave të punëtorëve në sektorin e kulturës duke ofruar gatishmërinë dhe angazhimin e plotë për të përmbushur detyrat dhe obligimet që i takojnë Ministrisë, si një partner serioz në bashkërendimin e të gjitha çështjeve që janë me interes të dy palëve. “Krijuesit, performuesit dhe profesionistët e kulturës do të përfitojnë me ato që do të parashihen sipas kontratës kolektive, dokument që do të përfundohet dhe nënshkruhet shumë shpejt. Do të bëhen të gjitha përpjekjet nga ana e MKRS-së që ky dokument i rëndësishëm të finalizohet me sukses. Uroj që kontrata kolektive të jetë edhe një nxitje për rritje të kreativitetit dhe efikasitetit në kulturë”, tha ministri Gashi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …