Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar tryezën me temë Shfrytëzimi i Burimeve Natyrore për Zhvillim Ekonomik, në fokus të së cilës ishin sfidat me të cilat përballen kompanitë e sektorit minerar, duke krijuar kështu një mekanizëm diskutimi para anëtarit të Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se burimet natyrore të Kosovës janë të një rëndësie të veçantë, duke theksuar gatishmërinë e Odës Amerikane për të inicuar ndryshimet e nevojshme të akteve nënligjore apo edhe ligjeve të caktuara, ashtu që burimet natyrore të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ndërsa Visar Hapçiu nga Oda Amerikane argumentoi se strategjia minerare e Kosovës bazohet mbi vizionin e zhvillimit të burimeve minerale dhe avancimin e industrisë së prodhimit minerar për të garantuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies qytetare, e cila do të mund të realizohej përmes një kornize ligjore e cila përkrah investimet në sektorin minerar. Infrastruktura jo e mjaftueshme ligjore dhe institucionale, mungesa e teknologjisë së avancuar, perceptimi i lartë i korrupsionit dhe potenciali i ulët i kapitalit vendor privat u cilësuan si sfidat kryesore me të cilat përballet sektori minerar në Kosovë.
I pyetur rreth shndërrimit të KPMM-së në një “one-stop-shop”, kërkesë kjo e Odës Amerikane që nga viti 2013, anëtari i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Azem Rexhaj tha se me ligjin aktual parashihet që kompanitë të cilat aplikojnë në KPMM, duhet të marrin paraprakisht aprovimet edhe nga ministritë e tjera përkatëse, gjë që pamundëson funksionimin e KPMM-së si “one-stop-shop”.
Paul Nelles Drejtor Menaxhues në Peshter Mining theksoi se pavarësisht supozimeve mbi pasuritë natyrore të Kosovës, kompanitë hulumtuese janë kyçe për përcaktimin e këtyre burimeve natyrore dhe gjetjen e investitorëve të huaj dhe vendor. Burim Asllani Drejtor Ekzekutiv në E&E Experts tha se koordinimi më i mirë i ligjeve do të krijonte një mjedis më të favorshëm për të tërhequr kompanitë hulumtuese apo edhe investitorët e huaj. Ndërsa, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik u pajtuan se një “one-stop-shop” duhet të themelohet, sepse është në interes të tërheqjes së investitorëve të huaj dhe rritjes ekonomike.