Kosova dhe 16 shtete të tjera jo anëtare të Bashkimit Evropian janë ftuar që të marrin pjesë në takimin e parë të forumit të ri evropian, Bashkësisë Politike Evropiane, që do të mbahet më 6 tetor në Pragë të Çekisë, tha një zyrtar i bllokut. Përveç Kosovës, edhe shtetet si: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Islanda, Litenshtajni, Moldavia, Norvegjia dhe Zvicra janë ftuar, tha zyrtari, duke shtuar se ftesë u është dërguar edhe Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë dhe Ukrainës. Ftesat për 27 shtetet anëtare të BE-së për takimin në Pragë do të dërgohen më vonë, shtoi zyrtari i BE-së. Ky takim do të mbahet para një samiti joformal të liderëve të bllokut evropian. Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë për sigurinë, migrimin dhe ndryshimet klimatike, por edhe për situatën aktuale ekonomike.
