Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani pritet nga znj. Geneviève Darrieusecq, sekretare e Shtetit pranë Ministres së Armatave, në kryeqytetin e Francës në Paris. Ai dhe Sekretarja e Shtetit, znj. Darrieusecq, gjatë takimit kanë ritheksuar vullnetin dhe gatishmërinë për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Francës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm, ishte konstatim i përbashkët për detajizimin e raporteve bilaterale në mënyrë që FSK të avancojë edhe më tutje në profesionalizimin e saj, veçanërisht në fushën e edukimit sipas standardeve më të larta demokratike.
“Kosova e sheh Francën si partner të rëndësishëm në forcimin e institucioneve tona, si dhe në rrugën tonë për anëtarësim në NATO. Kosova ka qëllim shtetëror integrimet euro-atlantike dhe ne synojmë të jemi vendi i 31-të anëtar i NATO-s”, ka theksuar zëvendësministri Ramadani. Ai falënderoi Francën dhe Ministrinë e Armatave për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të transicionit të FSK-së, si proces gradual dhe transparent. Sekretarja e Shtetit në Ministrinë franceze të Armatave, znj.Darrieusecq, shprehu gatishmërinë e Francës për të punuar ngushtë me Kosovën me qëllim të ndërtimit të paqes, besimit, stabilitetit dhe perspektivës perëndimore për tërë Ballkanin.