Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti të martën në një takim shefin e Divizionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ministrinë e Bujqësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, German Jeub, si dhe zyrtarë të Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë dhe ekspertë të bujqësisë nga ky vend.
Temë kryesore e diskutimit ishte bashkëpunimi konkret mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Gjermania dhe Kosova kanë intensifikuar bashkëpunimin në këtë fushë pas disa takimeve dhe komunikimeve të vazhdueshme që kanë pasur Ministri Krasniqi dhe homologu i tij gjerman, Christian Schmidt.
Në këtë drejtim, në këtë takim u ra dakord që fermerët nga Kosova në veçanti kultivuesit e pemëve dhe perimeve, si dhe operatorët e turizmit rural të marrin pjesë në trajnime disa ditëshe në Gjermani, në ferma dhe institucione të ndryshme për të marrë përvojë për metodat e reja të kultivimit dhe promovimit. Gjithashtu, u ra dakord që të shikohen mundësitë që Gjermania do të ndihmojë Kosovën me ekspertë për praktikat e konsolidimit të tokave.
Ministri Krasniqi me këtë rast falënderoi shtetin gjerman për ndihmën që po i jep Kosovës, në veçanti në bujqësi. Ai njoftoi zyrtarët gjerman me të arriturat dhe sfidat në bujqësinë e Kosovës. Gjithashtu foli edhe për investimet që ministria po bën për të ngritur e zhvilluar ferma dhe agrobiznese në gjithë vendin.
Nga ana e tij, German Jeub, rikonfirmoi edhe njëherë gatishmërinë për përkrahje në avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ai tha se përveç bashkëpunimit të deritanishëm, Gjermania do të mbështesë në shumë aspekte avancimin e bujqësisë në Kosovë.