Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se gjatë takimit në Bruksel është arritur një qëndrim që Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish për diskutimin e opsioneve. Besnik Bislimi dhekryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan dje në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Kjo është hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese. Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë. Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.