Kosova dhe Shqipëria pajtohen për heqjen e barrierave për produktet bujqësore

Kosova dhe Shqipëria do të krijojnë një strategji kombëtare për lehtësimin e barrierave doganore për produktet e dy vendeve. Për krijimin e saj u pajtuan zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vesel Krasniqi dhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, në një takim që realizuan në Tiranë. Krahas kësaj, ata janë zotuar edhe për zbatimin në tërësi të marrëveshjeve të bashkëpunimit, të cilat janë nënshkruar më herët, si në fushën e bujqësisë ashtu edhe në fusha tjera të ekonomisë. Ky takim në Shqipëri u bë me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit të mëtejmë mes dy vendeve me qëllim edhe të hapjes edhe më të madhe të tregut, pas paralajmërimeve të Serbisë se do të ndalojnë eksportin e disa produkteve, për në Kosovë, në këtë rast edhe kulturën e grurit. Zëvendësministri Krasniqi falënderoi ministrin Peleshi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehi vullnetin e MBPZHR-së që bashkëpunimi të thellohet dhe të jetë një angazhim i përbashkët për qëllime e projekte të përbashkëta. Me këtë rast, ai ka theksuar se me zbatimin e marrëveshjeve konkrete që kanë të dyja vendet dhe me një komunikim të rregullt mes dy vendeve do të eliminohen edhe të gjitha barrierat që mund të kenë qenë në të kaluarën. Gjatë kësaj vizite në Shqipëri, zëvendësministri Krasniqi është takuar edhe me ministrin e Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, me të cilin kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit edhe në fushën e turizmit, përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …