Kosova dhe Shqipëria synojnë projekte të përbashkëta gjeneruese të energjisë

Kosova dhe Shqipëria në kuadër të tregut të përbashkët synojnë të ndërtojnë edhe kapacitete të përbashkëta të gjenerimit të energjisë, dhe për këtë shumë shpejt do të kryejnë edhe një studim fizibiliteti me mbështetjen e USAID-it. Kështu kanë bërë të ditur Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci dhe homologu i tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri.

Këto komente ministrat e linjës i bënë në Tiranë, pas takimit të Komitetit Drejtues për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë Kosovë-Shqipëri me ç’rast nënshkruan edhe Deklaratën e Përbashkët.

Stavileci tha se qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkëta, ndërkohë që ka vazhduar puna e ekspertëve të nivelit teknik, në shumë aktivitete dhe projekte të përbashkëta që kemi.

“Por ne duam të shkojmë përtej këtyre marrëveshjeve, në dritën e zhvillimeve që bëhen sa i përket tregut të energjisë elektrike, rrjetit transevropian të energjisë elektrike, duke ditur që edhe vëmendja e shteteve mike dhe gjithë shteteve të BE-së është tek konektiviteti i transportit rrugor, ajror, hekurudhor dhe detar, por po ashtu edhe i një tregu të energjisë, i cili për nga natyra është më kompleks”, tha Stavileci.

Sipas tij, ideja e një projekti të përbashkët për gjenerim të energjisë, që do t’i paraprinte një studim parafizibiliteti me asistencën e donatorëve dhe kryesisht USAID-it, që është i angazhuar në të dy vendet, sidomos te ideja e tregut të përbashkët, është një prej gjërave më të mira që mund t’i ndodhë dy sistemeve energjetike të dyja vendeve tona, por edhe kontributit faktik të zhvillimit ekonomik.

Nga ana e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri nënvizoi se Shqipëria dhe Kosova kanë më se dy vjet që po punojnë në mënyrë intensive në procesin e krijimit të një tregu të përbashkët të energjisë.

Ai tha se me përfundimin e linjës së interkoneksionit mes dy vendeve, që është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme energjetike, e cila do të inaugurohet në qershor. Kjo lidh fizikisht rrjetin energjetik të dyja vendeve, por në anën tjetër, këto investime po pasohen edhe me politika të përbashkëta për krijimin e këtij tregu.

“Shqipëria ka bërë disa hapa në lidhje me disejnimin e një burse energjetike dhe po shikojmë mundësitë se si edhe ky proces i yni të integrohet me proceset që po zhvillohen në Kosovë sa i përket politikave energjetike”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se me homologun e tij Stavileci, kanë rënë dakord për kryerjen e një studimi të fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike, dhe në këtë kuadër të këtij tregu, Shqipëria edhe Kosova do të kenë mundësi të investojnë në një termocentral të përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …