Kosova, Mali i Zi dhe Republika serbe në Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian ka miratuar për projektet në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor. Nga këto investime përfituan Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, Federata boshnjako-kroate. Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vlera e përgjithshme e kornizës është 2.1 miliardë euro. Kosova nuk ka përfituar nga grantet e bllokut evropian, pasi BE-ja në fund të qershorit vendosi masa ndëshkuese, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të Brukselit për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës. Në mesin e masave ndëshkuese është edhe pezullimi i të gjitha programeve financiare të BE-së. Kosova ka përfituar nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Deri më vitin 2021, kjo kornizë ka mbështetur 30 projekte në Kosovë në vlerë rreth dy miliardë euro.
