KOSOVA NUK MUND TË SHPALLË AMNISTI PARA HAGËS

 


Pas 6 vjetësh nga mbarimi i Luftës, kohë gjatë së cilës Kosova administrohet nga UNMIK-u, ka filluar të lëviz procesi për vendosjen e statusit përfundimtar të saj. Këtë proces të ngrirë për 6 vjet, e vuri në lëvizje ajo që e kishte nisur, ShBA-ja çlirimtare dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, i cili emëroi ish Presidentin e Finlandës, Marti Ahtisari, udhëheqës të bisedimeve të këtij procesi kaq të vështirë. Presidenti dhe Qeveria e Kosovës, si dhe forcat politike e shoqërore, përfshirë edhe personalitetet e shquara, janë angazhuar në këtë proces me të gjitha energjitë e tyre dhe deri tani janë unanim, të vendosur rreth opsionit të Pavarësisë së plotë.
Edhe shteti amë, për inercie dhe me inercie, është përfshirë në këtë proces, por disi turbullt dhe jo unanim në qëndrimet institucionale. Deri tani, konsekuent në qëndrimet e tij, është treguar Presidenti i Republikës, Alfred Mojsiu, i cili në çdo bashkëbisedim me ndërkombëtarët, ka shprehur hapur dhe qartë qëndrimin për statusin e Kosovës, duke theksuar se Pavarësia e plotë është e vetmja zgjidhje për stabilitetin e Ballkanit. Ndërsa Qeveria deri tani nuk ka qenë shumë e qartë në qëndrimet e saj. E ndodhur nën trysninë e faktorit evropian, ajo detyrohet të flasë siç i thonë ata, për të luajtur një rol “moderator”. Me sa duket evropianët i kërkojnë qeverisë shqiptare, që të mos mbështesë kërkesat e Kosovës për pavarësi të plotë. Ky mund të jetë shkaku që Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, ka shprehur botërisht qëndrimin e tij, të papranueshëm për Kosovën, “Pavarësi e kushtëzuar”. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha, duke parë reagimin e fuqishëm ndaj këtij opsioni, e ka modifikuar pak qëndrimin e Ministrit të Jashtëm: Shprehet për pavarësi, por duke numëruar një seri kushtesh shumë të forta, në thelb shprehë të njëjtën gjë, sikurse ministri i Jashtëm: pavarësi e kushtëzuar. Pra si kryeministri dhe ministri i Jashtëm, shprehin të njëjtin qëndrim, por ndërsa ky i fundit e mbron hapur idenë e “pavarësisë së kushtëzuar”, kryeministri, i rrëshqet këtij opsioni me oratori e me finesë të madhe. Enigmën e këtij qëndrimi e mistifikon dhe e bën tepër tronditës artikulli i botuar më 12 janar në Gazetën shqiptare nën titullin: “Konsulenti i PD-së për zgjedhjet- kontratë serbe kundër Kosovës”, sipas të cilit kompania amerikane, që e ndihmoi PD-në në fushatën elektorale dhe që paska një ndikim shumë të fuqishëm në politikën amerikane, është vënë e tëra në dispozicion të qeverisë serbe gjatë bisedimeve për statusin e Kosovës. Kështu, problemi po ndërlikohet gjithnjë e më tepër.
Gjatë një bisede me gazetarët në studion e TV-Klan-it, që u zhvillua para pak ditësh, Kryeministri Sali Berisha i rekomandoi kuvendit të Kosovës të shpallë një amnisti të përgjithshme për serbët.
Ideja e faljes është një konstitucion shpirtëror tepër human i kombit shqiptar, e kultivuar në ndërgjegjen e tij prej shekujsh. Shqiptarët kurrë nuk i kanë rënë kujt në qafë, asnjë populli, asnjë kombi tjetër, por i kanë pritur në vatrat e tyre, u kanë dhënë tokë e shtëpi dhe i kanë bërë miq. Pastaj kanë rënë viktimë e këtyre “miqve”, të cilët pasi janë futur për dere dhe sapo kanë forcuar pak pozitat, kanë kërkuar ballin e oxhakut dhe janë bërë zot shtëpie. Besa, bujaria, sinqeriteti dhe humanizmi i shqiptarëve është shfrytëzuar djallëzisht nga serbët në Kosovë. Besës së shqiptarëve, ata iu kanë përgjigjur me pabesi, bujarisë me grabitje, sinqeritetit me djallëzi, humanizmit me dhunë e me gjak.
Shtrohet ideja që të falë Kosova!
Lind pyetja e natyrshme: kush i ka kërkuar falje Kosovës deri më sot për tragjeditë e panumërta që i ka shkaktuar gjatë afro 150 vjetëve. E pse t’i harrojmë ato?
Janë mijëra e mijëra varre shqiptarësh të vrarë nga serbët në trevat e Nishit, Vranjës, Prokupjes etj. dhe përzënia e dhunshme e familjeve të tyre nga trojet e veta në vitet 1870, që kurrë nuk u kthyen në to. Askush nga serbët nuk ka kërkuar ndjesë deri më sot. Pa folur për dëbimet masive nga trojet stërgjyshore, janë qindra e mijëra shqiptarë të vrarë e të masakruar nga armata serbe në kohën e rënies së Perandorisë turke dhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore: vrasje, therje me thikë e me sëpatë, djegie në zjarr e në gropat e gëlqeres për së gjalli, siç përshkruhen në librin “Golgota shqiptare”. Askush nga Serbia, deri më sot nuk ka kërkuar falje. Brezi im e mban mend mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore: masakra e Drenicës, masakra e Gjilanit, masakra e Ferizajt, masakra e Tivarit etj. Mijëra djem e burra të Kosovës i kanë detyruar të hapin varret e veta dhe i kanë hedhur në to, ca të gjallë, ca të plagosur e ca të vdekur. Askush në Serbi, deri më sot s’ka kërkuar falje për to. Përkundrazi, pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, Milosheviqi, i thotë me mburrje gjeneralit Klark: “Ne do t’i shfarosim shqiptarët, t’i vrasim ata, ashtu siç ua bëmë në Drenicë në vitin 1945”!
Por le të vijmë tani në vitet ’97-’99, në vitet e gjëmës së madhe të Kosovës, të asaj gjëme që e pa me sy e gjithë bota: masakra e Reçakut, maskra e Makofcit, masakra e Celinës, masakra e Gjakovës, maskra e Izbicës, masakra e Lybeniqit e shumë të tjera. A nuk jemi të gjithë dëshmitarë të këtyre masakrave?! A nuk jemi dëshmitarë të kamionëve me kufoma, që po na vijnë nga varrezat masive të zbuluara në Serbi? A nuk jemi ne dëshmitarë të familjeve kosovare, të cilat edhe sot pas 7 vjetësh që ka përfunduar lufta, nuk dinë ku i kanë njerëzit e tyre të zhdukur nga forcat serbe. Po Ukshin Hoti ku është?! Askush nga Serbia, deri më sot nuk ka kërkuar falje për këto.
Kosovën serbët e dogjën flakë, shtëpitë dhe gjithë pasurinë e shqiptarëve. Dogjën, ose u grabitën gjithë dokumentacionin ligjor të pasurisë, të tokës. Jo vetëm që Serbia nuk dha asnjë dëmshpërblim për dëmet kolosale që shkaktoi, por askush nuk kërkoi falje për këto deri më sot.
Ushtria serbe, në tërheqje e sipër, e minoi tokën, la të mbjellë vdekjen. Janë sot qindra të vrarë e të gjymtuar në Kosovë, në Tropojë, Has e Kukës. Askush deri më sot nuk ka kërkuar falje për këto… E ç’t’i numërojmë më tej!
Shtrohet problemi që Kosova të shpallë amnisti. Po për kë? Qeveria e Kosovës për ditë u ka bërë thirrje serbëve të kthehen në shtëpitë e pronat e tyre dhe shumë janë kthyer. Nuk është faji i shqiptarëve pse nuk guxojnë të kthehen ata që kanë vrarë, ata që kanë marrë pjesë në masakra, ata që kanë qenë në formacionet paramilitare të Arkanit… Shumë prej këtyre sot bredhin nëpër qytetet e Serbisë, duke u mburrur nëpër mjediset publike për bëmat e tyre të tmerrshme e të poshtra mbi gratë dhe fëmijët në Kosovë. Por ka edhe një arsye tjetër pse serbët nuk begenisin të kthehen në Kosovë. Ata më parë kanë qenë padronë dhe tani nuk mund të kthehen si minoritarë, si gjithë të tjerët. Ata janë mësuar të sundojnë dhe nuk mund të pranojnë që të jenë të barabartë me shqiptarët.
Nga ana tjetër, si mund të shpallë amnisti Kosova dhe të fali, kur sot është ngritur dhe vepron Gjykata e Hagës!? T’u shpallësh amnisti kriminelëve, që kanë hapur aq shumë varre në Kosovë, do të thotë të sfidosh Gjykatën e Hagës, në fund të fundit kjo do të thotë të falësh edhe Milosheviqin.
Kosova di të falë dhe do të fali, por hapin e parë duhet ta bëjë Serbia, që i ka shkaktuar asaj aq drama e tragjedi, të pakrahasueshme me asnjë popull në Evropë. Gjermania e sotme u ka kërkuar falje hebrenjve për tragjeditë që u ka shkaktuar Hitleri. Këtë shembull i takon ta ndjekë edhe Serbia, që aspiron të integrohet në Evropën e Bashkuar. Halil Katana

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …